Foto-ilustrim

Shtyhet gjykimi i vëllezërve të akuzuar se penguan zyrtarët e KEDS-it dhe Policinë t’ua shkyçnin rrymën

Gjykata e Ferizajt ka lëshuar urdhër arrest për njërin prej të akuzuarve për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës dhe për sulm.

Për shkak se nuk ishte paraqitur në seancë, gjyqtari i çështjes, Ilir Bytyqi, ka lëshuar urdhër arrest për Qëndrim Rrahmanin.

Për shkak të mungesës së tij, seanca është shtyrë për një datë tjetër.

Sipas prokurorit të rastit, Albert Zejnullahu, të pandehurit – vëllezërit Qëndrim, Ahmet, Samet dhe Xhevdet Rrahmani, kishin penguar zyrtarët e KEDS-it, të udhëhequr nga polici Xhevat Krasniqi si dhe shtatë zyrtarë policorë të Njësisë Speciale, të cilët kishin shkuar për të shkyçur rrymën elektrike në pompën e derivateve “Mani Petrol” sipas urdhëresës për shkyçje.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, të pandehurit me mjete të forta janë vërsulur në drejtim të tyre dhe Policisë, duke i kanosur me fjalët: Kemi me ju vra.

Ndërsa i pandehuri Qëndrim Rrahmani akuzohet edhe për sulm ndaj personit zyrtar, sepse gjatë tentimit për shkyçjen e energjisë elektrike ai pretendohet se ka goditur në dorën e majtë me një shufër metalike Xhevat Krasniqin të dëmtuarin- zyrtarin policor, me çka i shkakton lëndime trupore.

Ndërsa, Ahmet Rrahmani gjatë intervistimit në Policinë e Ferizajt si i dyshuar për veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, me qëllim të frikësimit e ka kanosur personin zyrtar – policin Kadri Kadriu se porsa të lirohet nga aty do ta sulmojë atë dhe policët e tjerë.

Kjo kanosje, sipas Prokurorisë, ka shkaktuar shqetësim dhe frikë tek i dëmtuari.

Ngjarja për të cilën akuzohen vëllezërit Rrahmani ka ndodhur më 28 qershor 2017 në Komogllavë të Ferizajt.