Shikimet pandemike

Pandemia e shkaktuar nga COVID-19, ka ndikuar në secilën fushë të jetës dhe izolimi i njerëzve ka shkaktuar çarje ose shkëputje në zinxhirin e funksionimit të po thuajse secilës veprimtari ekonomike.

Mediat si sektor ekonomik, po ashtu është dashur të adaptohen në rrethanat e krijuara, pasojat e se së cilave do të ndjehen në këtë vit, mbase edhe në vitet e ardhshme, për shkak të rënies ekonomike, rënies së reklamave dhe problemeve që ndërlidhen me këto fenomene.

Por, përderisa pjesa ekonomike është temë shumë e mirë për ndonjë analizë kur të kalojë pandemia dhe jeta të kthehet në “normale”, në këtë shkrim do të ndalemi tek një fenomen tjetër interesant – pandeminë e shikimeve ose views-ave.

Si matet shkueshmëria

Në Kosovë nuk ka sistem të matjes së shikueshmërisë së kanaleve televizive. Pse në vendin tonë nuk aplikohet sistemit i Nielsenit, apo ndonjë sistem tjetër i besueshëm dhe pse nuk publikohen të dhënat e shikueshmërisë në baza të rregullta, është temë në vete.

Mirëpo, në mungesë të një sistemi të besueshëm të matjes së shikueshmërisë, stacionet televizive shërbehen me dy burime të të dhënave.

Burimi i parë është sondazhi klasik, që zakonisht nuk bëhet vetëm për shikueshmëri të televizioneve, por edhe për një sërë temash tjera nga politika dhe shoqëria.

Burimi i dytë është sondazhi specifik, nga i cili mund të fitohen numra të besueshëm sa i përket pëlqyeshmërisë së një programi ose kanali, por pëlqyeshmëria dhe shikueshmëria nuk janë e njëjta gjë.

Kuptohet, ofruesit e shërbimeve të sinjalit kabllor, i kanë të dhënat e sakta se cili kanal dhe cili emision sa shikohet dhe në cilat orë të ditës.

Mirëpo, këto të dhëna janë sekrete afariste dhe publiku nuk ka qasje në to, madje ato janë pjesë e kontratës që televizionet përkatëse nënshkruajnë me këta ofrues shërbimesh.

Po ashtu duhet thënë se, nëse publikohen të dhënat e një ofruesi shërbimesh, ato nuk janë të plota, meqë në Kosova operojnë disa të tillë, e po ashtu nuk mund të merren të dhënat e sakta për shikueshmërinë në rrjetin tokësor.

Mungesa të një matjeje profesionale (softverike) të shikueshmërisë ku ka qasje publiku i gjerë dhe profesionalizmi, shpesh i kontestuar, i sondazheve, janë dy argumente që shpijnë kah konstatimi se numrat në Kosovë nuk prodhojnë qartësi dhe statistikat nuk janë definitive.

Mediat e reja – rregullat e reja

Atë që nuk e bëjnë televizionet për platformat konvencionale, e bën facebooku për të gjithë ata që postojnë video në këtë platformë.

Ky rrjet social është burimi kryesor i trafikut për të gjitha portalet në Kosovë, kurse nga përvoja ime modeste në bashkëpunim me portale, rezulton që rreth 90% e trafikut në portale, është trafik nga facebooku.

Kjo i bie që 90% të artikujve dhe postimeve që lexohen në portalet e Kosovës, klikohen në facebook dhe nga ky rrjet social, lexuesit ridrejtohen në portalin përkatës.

Kjo detyrimisht ka bërë që facebookun ta përdorin të gjithë për të transmetuar përmbajtje të ndryshme, kurse hiti i sezonit “pandemia 2020” kanë qenë debatet televizive.

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një gare, gjegjësisht një matjeje tjetër – atë të viewsave në facebook.

Emisioni ose materiali që transmetohet në sinjal tokësor, kabllor, satelitor, në IPTV ose ndonjë platformë tjetër, transmetohet edhe në facebook, që është e vetmja platforme që tregon aty për aty se sa veta po shikojnë diçka live, sa veta po e pëlqejnë apo po e shpërndajnë atë përmbajtje mediale, kush po komenton dhe çka po thotë.

Së këndejmi kemi, gara për viewsa, është shndërruar në çështje prestigji për shumë kanale televizive dhe ka pasur tendenca të hapura të manipulohet shikueshmëria në facebook si shikueshmëri totale, gjë që nuk është e saktë për arsyet që përmenden më lart.

Një çështje tjetër që e kam hasur nga përvoja ime modeste në punë me portale në Kosovë është që rreth 90% e përmbajtjes lexohet ose shikohet në telefon dhe rreth 10% në desktop, laptop, tablet apo ndonjë pajisje tjetër teknologjike.

Kjo i bie që mijëra njerëz në Kosovë përmbajtjet mediale të çfarëdo natyre i marri në telefon, përfshi emisionet që zgjasin një orë ose edhe më shumë.

“Dekodimi” i viewsave

Nëse një njeri i posedon, le të themi, 2 telefona dhe një laptop, ai mund ta shikojë/lexojë të njëjtën përmbajtje nga tri pajisje me tri llogari të ndryshme në rrjete sociale, kjo si shembulli më banal i mundshëm i “fryrjes” së viewsave, edhe pse metodat janë shumë më të sofistikuara he shumë më të lira se kaq.

Në kohë pandemie politikanët në Kosovë kur paraqiteshin live në facebook thyenin rekorde, që kryesisht i kishin arritur vetëm para pak muajsh në zgjedhje.

Madje, nëse shikohet numri i shpërndarjeve, komenteve dhe angazhimeve tjera të audiencës në faqet e politikanëve të Kosovës në facebook, krijohet përshtypja se vendi e ka së paku pesëfish, nëse jo njëzetfish më shumë banorë, meqë ka raste kur liderë gjermanë e francezë kanë më pak viewsa se ata kosovarë.

Në kohë pandemie kemi qenë edhe dëshmitarë të akuzave për “blerje” të shikuesve në facebook nga Kina, Egjipti e vende tjera aziatike e afrikane.

Pa dashur të hyjë në algoritme të rrjeteve sociale, që janë shkence ekzakte, për qëllime të këtij shkrimi do të jap vetëm të dhëna të përgjithshme, kryesisht nga emisionet që i punoj vetë, ose në të dhënat e të cilëve kam pasur qasje.

Nga këto të dhëna del se pjesa më e madhe e shikimeve në facebook janë shikime tre sekondëshe (3-second video views), më pas vijnë shikimet 10 sekondëshe, ato një minutëshe, kurse numri i shikimeve që zgjasin më shumë se një minutë, në përqindje është dukshëm më i vogël sesa këto tri kategoritë e para.

Nëse mund të merret parametër për shikueshmëri, një shikim që zgjatë tre ose dhjetë sekonda në telefon nëpërmjet facebookut është vështirë të thuhet.

Edhe pse përqindjet mund të luhaten, kjo “formulë”, sipas të cilës rreth gjysma e shikueshmërisë në facebook zgjatë më pak se një minutë është standarde për shumicën e emisioneve politike dhe debutuese në Kosovë.

Rrjetet sociale si arenë politike

Një tjetër fenomen që kemi parë në kohë pandemie është realizimi i sondazheve nëpërmjet facebookut gjatë emisioneve live.

Ekspertët e hulumtimit të opinionit pohojnë se sondazhet që nuk kanë mostër reprezentative, që nuk janë të përpiluar në mënyrë profesionale dhe nuk plotësojën kriteret tjera, nuk mund të merren si bazë për asgjë.

Por, tendencat e partive (gjatë zgjedhjeve me fushata me SMS dhe gjatë pandemisë me votime në sondazhe në rrjete sociale), që të manipulojnë me këto rezultate në rrjete sociale, janë evidente.

Ka të tillë që pohojnë se pikërisht duke besuar në një luhatje shumë të madhe në pëlqyeshmërisë partitë në koalicion kanë bërë veprime të njëanshme që për pasojë patën rrëzimin e Qeverisë.

Por, ka edhe të tillë, që thonë se “po të shndërroheshin likeat në vota, puna e zgjedhjeve ish kry moti”.

Sidoqoftë, jemi dëshmitarë se në kohë pandemie, kur nuk ka protesta, nuk ka seanca të rregullta të Kuvendit, nuk ka parashikueshmëri politike, rrjetet sociale janë shndërruar në arenë politike dhe mediat janë platforma mbi të cilën kjo arenë është ndërtuar dhe po qëndron.

Se si do të evoluojnë numrat e shikueshmërisë, pëlqyeshmërisë, marketingut tek mediat dhe votat tek partitë politike, kur të përfundojë pandemia, do të jetë mbase temë e mirë, për editoriale, por edhe për hulumtime më voluminoze.