Vizita e ambasadorit Szunyog në Prizren. Foto: Facebook/QRTKP

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog vizitoi trashëgiminë kulturore në Prizren

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Prizren, me ç’ rast ka vizituar edhe rrugën “Marin Barleti”.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog sot gjatë ditës vizituar qytetin e Prizrenit, për të parë nga afër projektet të cilat janë financuar nga ana e BE-së në këtë komunë.

Gjatë kësaj vizite, sipas njoftimit të QRTK në Prizren, ambasadori Tomas Szunyog ndër të tjera ka takuar edhe drejtuesit e QRTK-së në Prizren, me ç’rast drejtori i këtij institucioni, Samir Hoxha e ka njoftuar ambasadorin Szunyog, për projektin “Rivitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” si njëri ndër projektet më ambicioze dhe të rëndësishme për Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

“Edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti, paraqet ngarkesë dhe sfidë në vetvete, si rezultat i kompleksitetit që ka, drejtori Hoxha, garantoi ambasadorin Szungyog, për angazhimin dhe përkushtimin e plotë institucional dhe profesional, që ka institucioni që ai drejton, se ky projekt do të zbatohet në përpikëri dhe në respektim të standardeve më të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi. Projekti në fjalë hap rrugët për investime mbi 2 milion euro në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit”, thuhet në njoftimin e QRTK në Prizren.

Rruga “Marin Barleti” zë pjesën kyçe të Qendrës Historike të Prizrenit, ndaj dhe revitalizimi urban dhe shoqëror i tij do të ndikon në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen dhe rikthimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit”.

Vizita e ambasadorit Szunyog në Prizren. Foto: Facebook/QRTKP