Sfidat e Gjykimit të Trashëgimisë
Edhe pse ka përvojë shumëvjeçare në gjykimin e çështjeve të pronësisë, gjykatësi nga Prizreni, Xhemil Elshani, futet në sallën e gjykimit me kujdes të veçantë kur para vetës ka lëndë ku gratë pretendojnë të drejtën e pronës.
Për gjykatësin është sfidë të gjykohet drejt në situatën ku dallimi në mes asaj çfarë thotë ligji dhe çfarë thotë e drejta zakonore është i madh.
E drejta zakonore, e trashëguar nga e kaluara, nuk e njeh të drejtën e grave për të gëzuar pronë të paluajtshme, ndërsa ndryshimet pozitive ligjore e shohin gruan të barabartë me burrat.
Megjithatë, në regjistrat kadastrale të vendit vetëm 16% e pronës është e regjistruar në emër të grave.
Kundërthëniet e thella në mes të drejtës zakonore dhe ligjit në fuqi e bëjnë gjykatësin Elshani të ketë kujdes të shtuar kur gjykon padi dhe raste kur duhet të vendosë për të drejtat e grave në pronë.
“Në rastet të cilat i kam shqyrtuar unë kam pasë kujdes të caktuar që ndaj këtyre lëndëve, ose ndaj këtyre palëve, respektivisht trashëgimtarëve ligjorë që janë femra kam pasë një kujdes pak sa më të shtuar me qëllim që ligji të zbatohet në përpikëri dhe në mënyrë të duhur”, thotë Elshani.
Në gjykatat e Kosovës për momentin presin zgjidhjen rreth 1,700 lëndë të çështjeve pronësore, ndërsa një pjesë e madhe e grave për shkak të traditës nuk trashëgojnë pronën ose u mohohet e drejta, duke i fshehur si trashëgimtarë legjitimë.
Me përvojën e tij gjykatësi Elshani tregon për arsyet e padive e po ashtu tentativat që gratë të largohen nga trashëgimia duke i fshehur trashëgimtarët.
“Ka raste kur gjatë procedimit zbulojmë ndonjë rast që nuk është përfshirë edhe ndonjë trashëgimtar tjetër ligjor. Rastet janë më së shumti kur tentojnë që t’i fshehin vajzat apo femrat në këtë drejtim”, thotë gjykatësi Elshani.
Fshehja e trashëgimtarëve para gjykatës është vepër penale. Megjithatë, deri më tani ka pak aktakuza të ngritura nga prokuroria e shtetit të cilat do të parandalonin mashtrimet e kësaj natyre.
http://kallxo.com/kthehen-ne-gjykate-te-akuzuarit-per-falsifikim-trashegimie.
Duke gjykuar çështje të kësaj natyre, gjykatësi Xhemil Elshani tregon për presion indirekt që u bëhet grave të cilat tentojnë të marrin trashëgiminë.
Për shkak të traditës në të cilën vetëm burrat mund të trashëgojnë, zgjidhja e këtyre çështjeve duke i dhënë të drejtë edhe grave në trashëgimi rezulton në prishjen e marrëdhënieve familjare.
“Arsyeja pse nuk e marrin pasurinë është nga tradita – e kaluara, ngase femrat nuk dëshirojnë t’i prishin marrëdhëniet familjare me familjen”, shton gjykatësi. Madje, sipas tij, në disa raste të trajtuara nga ai në gjykatë gratë janë habitur kur janë pyetur nëse dëshirojnë të marrin pasurinë e babait.
“Kam raste kur femrat janë deklaruar para vëllezërve se unë po i ofendoj kur u ofron të drejtë ligjore, ngase nuk dëshirojnë për shkak thash të lidhjeve të tyre tradicionale dhe nuk dëshirojnë t’i shkëpusin marrëdhëniet familjare me prindërit, vëllezërit apo motrat”, thotë Elshani.
Rreth 1,700 lëndë të çështjeve pronësore presin zgjidhje në gjykatat e Kosovës. Proceset gjyqësore në këto raste zgjasin me vite të tërë, gjë që i dekurajon gratë të heqin dorë nga procedurat gjyqësore.
http://kallxo.com/gruaja-dhe-prona-prane-shtepive-te-pastreha/
Shyhrete Berisha është njëra nga gratë që pretendon të fitojë pasurinë e përbashkët në një proces gjyqësor në gjykatën e Suharekës. Procesi gjyqësor në këtë rast është duke u zhvilluar tash e dy vite, por pa ndonjë vendim final.
Zyrtarë të gjyqësorit të Kosovës, përfshirë ish-kryesuesin e KGjK-së, Enver Peci dhe kryesuesin e tanishëm, Nehat Idrizi, në vazhdimësi janë zotuar se do angazhohen që gjykimin e çështjeve të trashëgimisë dhe të drejtave të grave në pronë t’i bëjnë lëndë prioritare.
Megjithatë, deri më tani, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk e ka vënë në tavolinë të diskutimit këtë çështje.