Sërish dalin para gjykatësit të akuzuarit për vrasjen e kushëririt të tyre

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për një vrasje në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë edhe sot në Gjykatën e Gjilanit.

Të akuzuarit për vrasje në këtë rast, akuzohen se me mjete të forta e kanë vrarë, kushëririn e tyre Muhamet Ismajli.

Në seancë, u dëgjua dëshmitarja Bedrije Ismajli e cila tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë në Prokurori dhe se ka akoma për të thënë.

“Një ditë para se me ndodh rasti, djali im ka ardhur nga Gjermania dhe ka pas për të qëndruar vetëm tri ditë. Djali im ka pasur të shkoj në Prishtinë me të ndjerin, sepse ai (Muhameti), ka pasur ta merr vizën. Pastaj pak para se të nisen, kemi parë se këta (të akuzuarit), e kanë zënë rrugën. Unë ngjarjen e kam parë nga një distancë rreth 20 metra. Kur ka ardhur Sameti në vendngjarje, ka ardhur me një shpejtësi të madhe, e ka hapur bagazhin e veturës dhe ka nxjerrë drunjtë dhe i ka qitë në tokë”, tha dëshmitarja Bedrije Ismajli.

Ajo tha se Sameti në momentin që ka dalë nga vetura, i ka rënë në kokë me një hekur të ndjerit Muhametit.

“Kur e kanë rrëzuar Ermondin as nuk e kam ditur se kënd e kanë rrëzuar, e morra vesh se është ai vetëm pasi u ngrit në këmbë. Izria i ka rënë me kaci (lopatë) Kimetes në momentin që ajo ka dashur ta mbroj me trupin e saj Ermondin. Telashe me rrugën kemi pasur edhe më herët, por këtë rrugë e kemi shfrytëzuar prej kohës kur janë larguar serbët”, tha tutje dëshmitarja.

Në seancë, u dëgjua edhe dëshmitari Nexhat Bakiu, i cili tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave që i ka dhënë në Prokurori e Polici por që ka mundësi se ka harruar diçka. Dëshmitari Bakiu u morr në pyetje deri në përfundim të orarit të punës, kur edhe u ndërpre seanca për të vazhduar më shtatë prill.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh për problemet që kishin, kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: https://kallxo.com/lajm/deshmitari-rrefen-ne-gjykimin-e-te-akuzuarve-per-vrasjen-e-kusheririt-te-tyre/.