Faton Hajrizi
Serbia publikon fotografinë dhe kërkon ndihmë për kapjen e Faton Hajrizit, si i dyshuar për vrasjen e policit serb
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka thënë se është duke e kërkuar intensivisht Faton Hajrizin, si i dyshuar për incidentin në Lloznicë, në të cilin një zyrtar policor vdiq e një tjetër u plagos më 18.07.2024, në pjesën perëndimore të Serbisë.
Kjo Ministri ka publikuar fotografinë e Hajrizit duke u bërë thirrje qytetarëve që të ndajnë informatat me policinë.
“Pjesëtarët e MPB-së janë duke kërkuar intensivisht Faton Hajrizin, i cili dyshohet se mbrëmë në Bregun e Lipnicës ka vrarë policin Nikolla Krsmanoviq dhe ka plagosur policin Vjekoslav Iliq. I bëjmë thirrje qytetarëve që nëse e vërejnë personin në fotografi apo kanë informacion për lëvizjen e tij të lajmërojnë menjëherë policinë në numrin 192 ose të kontaktojnë komisariatin më të afërt” – thuhet në postimin e MPB-së së Serbisë më 19.07.2024 në rrjetin social “Facebook”.
Më 18.07.2024 Autoritetet e Serbisë po pretendojnë që në vendin ku u vra polici, Nikolla Krsmanoviq, është gjetur pasaporta e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit që tash e sa ditë është arratisur nga burgu i Smrekonicës.
Kjo nuk është hera e parë që Faton Hajrizi ikën nga burgjet e Kosovës. Faton Hajrizi ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus. Në kohën kur ai e kishte kryer vrasjen ishte vetëm 15-vjeçar.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë pretendon se në vendngjarje ishte pasaporta e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Artan Hajrizi, në një bisedë me Kallxo.com tha që dokumentet e identifikimit ia ka vjedhur vëllau i tij, Faton Hajrizi.
“Në Gjermani jam. Po më janë vjedhur dokumentet. Prej kujt, prej vëllait tem”- tha ai, duke treguar se për momentin është në Polici në Gjermani në lidhje me dokumentet e tij.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me këtë ngjarje ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.
Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.
“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Ndërkaq, ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e cila pretendohet se është e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Sipas saj, policia është në kërkim të sulmuesit të dyshuar.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Iliq Vjekosllav në shpatull, dhe më pas ka ikur.
Shënim: Teksti është rregulluar te pjesa e përmendur për lartësinë e dënimit për vrasjen që Faton Hajrizi e kishte kryer gjatë kohës sa ishte i mitur.