Kjo është 'Selia qendrore' e kompanisë ku u transferuan 2 milionë euro - VIDEO

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim për të dyshuarin kryesor që ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në një kompani private. Radio Evropa e Lirë ka vizituar shtëpinë në fshatin Llapushnik, rreth 30 kilometra larg nga Prishtina, ku kompania ka dhënë adresën kur është regjistruar si biznes.

KALLXO.com raportoi sot se ka siguruar dosjen e gjykatës për caktimin e paraburgimit të të dyshuarit Labinot Gruda, zyrtarë në Ministrinë e Financave.

Sipas dosjes së Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit Labinot Gruda, të siguruar nga KALLXO.com, ai dyshohet se ka kryer 4 transaksione në vlerë totale prej 2,077,995.90 euro, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” SH.P.K. me numër të biznesit 811342617, të regjistruar me dt.21.08.2019 me seli në Llapushnik.

“Për të pandehurin Labinot Gruda, ekziston dyshimi i bazuar se me dt.09.10.2020, në intervalin kohor prej orës 12:11 deri në orën 12:19, nga zyra e tij në Ministrin e Financave-Thesari i Kosovës, duke krijuar userë të ndryshëm që duken si usera të punëtorëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme ka realizuar katër transaksione në vlerë të përgjithshme prej 2,077,995.90 euro, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” SH.P.K. me numër të biznesit 811342617, të regjistruar me dt.21.08.2019 me seli në Llapushnik, komuna e Gllogocit, rruga “Osman Krasniqi” nr.14 me pronar Kadri Shala dhe Valon Shala”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i dyshuari Gruda me veprimet e tij dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro.

“Fakt ky që vërtetohet nga provat materiale si kallëzimi penal 2020-KE-123, aktvendimi për fillimin e hetimeve i dt:21.10.2020, deklarimi i të dëmtuarës në polici, si dhe foto dokumentacioni i cili gjendet ne shkresat e lëndës. Pra në bazë të të lartcekurave ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par.2 dhe 3 pika 3.4 lidhur me par.1 të KPRK –së”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me të cilin të dyshuarit Gruda i është caktuar paraburgimi.

I pandehuri Labinot Gruda në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, ka deklaruar se çështja e dy milionëve nuk ka të bëjë me të.

“Pajtohem në tërësi me të thënat e avokatit mbrojtës… Nuk pajtohem me kërkesën e prokurores së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, sepse e ndiej veten plotësisht të pafajshëm. Pretendimet për shumën prej 2 milionë euro, nuk kanë të bëjnë aspak me mua”, ka deklaruar i dyshuari Gruda.

“Unë çdo herë i kam përmbushur detyrimet e mia sipas përshkrimit të vendit të punës dhe asnjëherë nuk i kam tejkaluar ato. Nëse më kishte pyetur në mënyrë reale se si kishte mundur të vije deri tek ky transaksion, e që këtu në kërkesë është se: ”nga ora 12.11 min, deri në ora 12,19 min”, është kryer ky transaksion, apo këto transaksione, unë ju them se është diçka e pamundur”, ka thënë ai.

Tutje i dyshuari Gruda ka deklaruar se: “Nëse e marrim mënyrën reale të ekzekutimit të një transaksioni, duhet të kaloj nëpër duart së paku 5 zyrtarëve, t`i marrë të gjitha nënshkrimet apo aprovimet e duhura, gjë që nuk mund të arrihet të kryhet një transaksion i tillë, në afatin kohor prej 8 min. Edhe një herë deklaroj se unë  e ndiej veten plotësisht të pafajshëm lidhur me këtë çështje”.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për 1 muaj ndaj zyrtarit të Ministrisë së Financave Labinot Gruda pasi  mbajti  seancën me dyer të mbyllura. Paraburgimi  është caktuar për shkak të veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare. Të pandehurit Labinot Gruda i është caktuar masa e paraburgimit, pasi sipas gjykatës  i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë.