Rugovasi mbetet pa energji elektrike tash e disa muaj pasi dikush dëmtoi shtyllat elektrike

Për shkak të dëmtimit të disa shtyllave të energjisë elektrike, Rafet Nikçi për më shumë se 3 muaj ka mbetur pa energji elektrike në shtëpinë e tij në fshatin Rekë e Allagës të Rugovës.

Për të personin që dyshohet se ka bërë dëmtimin e shtyllave është hapur rast në Prokurorinë Themelore të Pejës.

Por përkundër kësaj, Nikçi thotë se atij nuk i është kthyer energjia elektrike prej asaj kohe.

Rafet Nikçi për KALLXO.com ka thënë se është i dëmtuar nga ky veprim që sipas tij e ka kryer një kushëri i tij.

Nikçi lidhur me këtë shqetësim i është drejtuar KEDS-it, me qëllim të rregullimit të problemit me energji elektrike.

Sipas shkresave që ai i ka dorëzuar KALLXO.com, shihet se në kërkesën e tij drejtuar KEDS-it më datën 2 qershor, ka kërkuar rregullimin e rrjetit elektrik.

“Në fshatin Peca është dëmtuar rrjeti elektrik kërkoj nga KEDS që ta riparoj sa më shpejtë që është e mundur”, thuhet në shkresën e drejtuar për KEDS.

Ai për KALLXO.com tha se prej atëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje nga KEDS, edhe pse kërkesa e tij është protokoluar nga zyrtarët e KEDS-it.

E se nuk kanë kthyer përgjigje ndaj tij, KEDS lidhur me këtë nuk është përgjigjur në kërkesën e KALLXO.com.

Kjo pasi KALLXO.com ka kërkuar informata nga KEDS lidhur me këtë situatë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KEDS ka thënë se shtyllat e demoluara nuk janë të KEDS-it, por janë shtylla private dhe si rrjedhojë sipas tyre ata nuk kanë kompetencë për të ndërhyrë aty.

Po ashtu, KEDS në përgjigjen e tyre, kanë thënë se Rafet Nikçi nuk është konsumator i KEDS, pasi sipas tyre i njëjti nuk ka njehsor apo shifër konsumatori.

“KEDS nuk ka kompetenca të ndërhyje aty ku nuk ka konsumatorë aktiv dhe rrjet funskional, secili person juridik apo fizik që dëshiron të bëhet konsumator i KEDS-it duhet të veprojë në bazë të rregullave standarde të cilat janë të sqaruara në detaje në ëeb sajtin zyrtar të kompanisë apo i sqarohet secilit edhe në qendrat tona për konsumatorë që gjenden anekënd Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nikçi për KALLXO.com tha se pretendimet e KEDS-it nuk qëndrojnë, pasi që ai ka njehsor dhe shifër të konsumatorit e cila është e regjistruar në emër të nënës së tij.

Në kërkesën e Rafet Nikçit drejtuar KEDS-it është dhënë një shifër e konsumatorit apo e njehsorit, e njëjta si e tillë është e evidentuar në kërkesë.

Ai po ashtu tha se shtyllat nuk janë private sepse janë të vendosura prej vitit 1982.

Për këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime lidhur me rastin edhe nga Prokuroria e Pejës.

Prokuroria e Pejës në përgjigjen e tyre për KALLXO.com ka thënë se për këtë rast janë filluar hetimet.

Prokurori i rastit, i është drejtuar KEDS me urdhëresë që të sjelle një raport të detajuar të rastit, se sa familje janë dëmtuar nga kjo shkëputje e rrjetit.

Po ashtu prokurori në afat të shpejtë kohor do të i procedojë edhe palët lidhur me këtë rast hetimor.

Ankuesi, Rafet Nikci, konsideron se është i dëmtuar nga mos veprimi i KEDS për të rregulluar këtë problem me energji elektrike tash e sa muaj.

Më poshtë gjeni edhe fotografitë e dërguara në KALLXO.com nga vendi ku është bërë dëmtimi i shtyllave.