Rryma e Shtrenjtë për Prodhuesit e Materialeve nga Argjila

Instituti GAP publikoi sot një analizë për materialin ndërtimor me bazë argjilën duke konsideruar se tregu kosovar i prodhimeve të tilla është mirë i mbuluar nga prodhuesit vendas.

Sipas GAP-it aktualisht në këtë sektor të prodhimit janë të punësuar rreth 850 punonjës, në tetë fabrika prodhuese në territorin e Kosovës.

GAP-i erdhi në përfundim se faktorë kyçë të cilët ndikojnë në koston e prodhimit janë çmimi i lartë i energjisë, kostot për licenca, normat e larta të interesit në kredi, mungesa e kuadrove, tatimi në import në lëndën e parë, etj.

Ankesa të ngjashme patën edhe prodhuesit e materialeve ndërtimore nga argjila.

Mustafë Borovci nga Shoqata e Prodhuesve të Materialit Ndërtimor nga Argjila përmendi problemet me të cilat përballet ky sektor

“Si sektor përballemi me probleme të shumta të cilat mund të grumbullohen në katër pika: çmimi i energjisë elektrike i cili është rreth 40% më i shtrenjtë se në Serbi, burokracia nga ana e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, me Ligjin për Faljen e Borxheve nuk përfshihet edhe borxhi ndaj KPMM-së si dhe mungesa e fuqisë punëtore të përgatitur,” tha Borovci.

Ai megjithatë bëri të ditur se kërkesa për materialin nga argjila është e madhe, ndërsa shtoi se “tani, ky sektor ka filluar edhe me eksport, sidomos në Maqedoni”.

Sipas Borovcit, masë pozitive e ndërmarrë nga Ministria e Tregtisë së Industrisë është vendosja e masës mbrojtëse për prodhuesit vendas prej dy centë në import nga Serbia.

“Rreth 15-16% e kostos së prodhimit shkon në energji elektrike. Si konkurrentë kryesor në këtë sektor janë prodhuesit nga Serbia dhe Shqipëria, andaj çmimet e energjisë duhet të jenë të konkurrueshme me këto dy vende,” tha Borovci.

Ymer Fejzullahu nga Zyra e Rregullatorit për Energji tha se javën në vijim do të përmbyllet procesi i konsultimeve për tarifat e reja të energjisë elektrike.

“Sa u përket konsumatorëve shtëpiakë Kosova ka çmimet më të ulëta në rajon, kurse sa u përket konsumatorëve industrialë Kosova ka çmimet më të larta sesa Bosnja dhe Mali i Zi, sipas tarifave të vitit 2014. Nëse prodhuesit vendorë konsiderojnë se çmimet e energjisë në Serbi janë më të lira, atëherë tani me liberalizim të tregut prodhuesit munden me ble energji edhe nga Serbia,” tha Fejzullahu.

Sytrime Dervisholli nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë u kërkoi prodhuesve të materialeve nga argjila që ta shfrytëzojnë këtë kohë për konsolidim, ngase gjithmonë nuk mund t’i mbajnë masat mbrojtëse ndaj tyre për shkak të obligimeve që dalin nga CEFTA.

“Masat mbrojtëse kanë pasur ndikim pozitiv, çfarë ka ndikuar që të arrihet deri tek zëvendësimi i importit me prodhim vendor,” tha Dervisholli.

Azem Rexhaj nga Komisioni i Pavarur për Media dhe Minerale theksoi se shumë kompani të prodhimit në këtë fushë kanë obligime të vjetra për shkak të dënimeve të shqiptuara përgjatë këtyre viteve, ose mosshlyerjen e obligimeve, andaj përfshirja e KPMM-së në listën e institucioneve për faljen e borxheve do të ndihmonte edhe sektorin prodhues, por edhe do të lehtësonte punën e KPMM-së .

Ai shtoi se kompanitë duhet të shikojnë hapësira më të mëdha për eksploatim.

“Renta minerare caktohet nga Kuvendi i Kosovës dhe është 13 centë për ton e cila është një taksë e arsyeshme,” tha Rexhaj.