Rrenat më interesante të publikuara në media për COVID-19

Që nga shfaqja e rastit të parë të sëmundjes COVID-19 në Kosovë, më 13 mars, në portale e media kemi dëgjuar këshilla për pastërti dhe respektim të masave, të cilat i vendosi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Përveç informacioneve të cilat ishin të nevojshme për gjithë qytetarët, filluan menjëherë të shfaqen “kura” e kësaj sëmundjeje, duke ngjallur hamendësime të ndryshme. Pati, edhe të tilla se pacientët e infektuar me coronavirusin e ri mund të shërohen duke konsumuar hudhra.

Shumë nga familjet kosovare servuan në tryezat e tyre hudhra me mendimin se ky produkt mund t’i shpëtojë nga infektimi me virusin që shpërtheu së pari në Kinë. E gjithë kjo si pasojë e raportimit jo të saktë të mediave e portaleve në vend.

Lajmet nuk ishin vetëm për ilaçin, por edhe për ‘zbulimin’ e vaksinës, gjë për të cilën askush nga shkencëtarët në botë nuk ka dhënë një konfirmim.

Raportimi i mediave:

Në media kemi lexuar tituj që për virusin ka edhe vaksinë, siç është shkrimi në link i publikuar më 13 maj 2020.

Ky është lajm jo i vërtetë, sepse asnjë nga njerëzit kompetentë nuk kanë thënë që ka dalë vaksina në treg e madje as që është zbuluar. Shkrimi tenton ta shesë vaksinën e gripit sezonal si vaksinë që ndihmon ndërsa brenda tekstit thuhet se shkencëtarët po punojnë për të gjetur këtë vaksinë kundër COVID-19 .

Gjatë kësaj kohe patëm edhe raportime se njëri nga shkencëtarët kinez që punonte në laboratorin e Wuhanit është zhdukur, informacion ky që nuk ka asnjë burim të konfirmuar.

Në kreativitetin për të përhapur informacione pati edhe tituj që rëra dhe uji i detit e shërojnë virusin.

Raportimi se rëra dhe uji i detit luftojnë coronavirusin nuk është i vërtetë sepse edhe zyrtari i cituar në artikull askund nuk e përmendte që rëra dhe uji i detit luftojnë atë mirëpo tregon ndikimin e mirë të detit në shëndetin e njeriut.

Në kohë virusi u regjistruan edhe lajme që duke u thirrur në shkencëtarë e quanin virusin një komplot e deri te raportimet se në ShBA ishte parë në cisternë me mbishkrimin COVID-19. Informaiconi po ashtu u konstatua se ishte i pavërtetë.

Mentor Hoxhaj që nga 14 marsi është duke u marrë vazhdimisht me verifikimin dhe raportimin e lajmeve të rreme, apo Fake News.

Ai shprehet i shqetësuar dhe thotë se raportimet për “kurën” për coronavirusin janë raportime të rrezikshme.

“Raportimet e tilla kanë pasur qëllime “përfitimi” dhe disa kanë rënë pre me vetëdije apo pa vetëdije e lajmeve të prodhuara nga inteligjenca ruse apo dhe ajo kineze. Normalisht kemi pasur dhe persona nga vendet si Italia apo ShBA qe kanë mbështetur këto teori konspiracioni dhe vazhdojnë te mbështesin. Këshillat për “shërim” dhe për mosrespektimin këshillave mjekësore, për mua kanë qenë lajmet/postimet më të rrezikshme”, tha Hoxhaj.

Tutje, ai potencoi se këto këshilla nuk kanë qenë të dëmshme për shëndetin, por që këto këshilla kanë qenë të rrezikshme sepse ato mund të krijonin bindjen te qytetarët se kjo është mënyra për t’u mbrojtur nga infektimi.

Në rast se këto raportime janë bërë me qëllime të caktuara, duhet të ndëshkohen raportuesit, thotë ai.

“Jo të gjitha këshillat kanë qenë të dëmshme për shëndetin, por këto këshilla kanë qenë të rrezikshme ngase mund të ofronin idenë e rrejshme të “mbrojtjes apo shërimit” që potencialisht është mjaft e rrezikshme”, tha ai.

Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, thotë se mediumet online kanë keqinformuar dhe  e gjithë kjo është bërë që web-faqet e tyre të qarkullojnë sa më shumë në rrjete sociale.

Për mediat kredibile ai shprehet se i kanë dhënë më shumë hapësirë krizës politike se pandemisë.

“Fillimisht mendoj që mediat mainstream kryesisht kanë respektuar rregullat e raportimit për pandeminë nëpër të cilin po kalojmë, por i kanë dhënë një përparësi të madhe raportimit të krizës politike. Ndërsa, sa i përket mediumeve tjera, që kryesisht operojnë online, mund të them që ka pasë shumë keqfunksionim, duke nisur nga dezinformimi, përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe ndasive shoqërore. Krejt këto shkelje profesionale dhe etike, për bindjen time janë bërë, për shkak se shumë portale të vogla me ndikim dhe qarkullim online e kanë shfrytëzuar situatën me pandeminë për të përfituar qarkullim në faqet e tyre në ueb ose në rrjetat sociale”, ka pohuar ai.

Ndërsa, raportimet për kurën për coronavirusin e ri, Zeneli thotë se kanë qenë pa burime kredibile, dhe si pasojë e kësaj kanë dalë të jenë dezinformata.

“Të gjitha ato raportime janë bërë pa konsultim të burimeve kredibile, dhe rrjedhimisht kanë dalë të jenë të rreme. Pra këtu është vërejtur edhe fenomeni i “Infodemisë” që ka të bëjë me shpërndarjen e lajmeve të rreme ose dezinformatave në raport me zhvillimet rreth pandemisë COVID-19”, theksoi profesori.

Raportimet e tilla natyrisht kanë shkuar edhe në “veshin” e familjarëve të të infektuarve.

Zeneli shprehet se këto lajme përhapin frikë dhe panik te rrethi i ngushtë i të infektuarit.

“Raportimet me shkelje të standardeve profesionale dhe etike sigurisht që ndikojnë në përhapjen e frikës, panikut, dhe formave të tjera të emocioneve që subjektet e raportimit dhe të afërmit e tyre i ndjejnë”, potencoi ai.

Si të zgjidhim këtë problem?

Por, për t’i ndaluar këto raportime, Mentor Hoxhaj, thotë se autoritetet vetërregulluese dhe mbikëqyrëse duhet të merren me këtë punë.

“Autoritetet vetërregulluese dhe autoritetet mbikëqyrëse duhet të parashohin marrjen e masave ndëshkuese në raste se kjo është bërë me qëllim”, theksoi ai.

Ndërsa ligjëruesi Alban Zeneli thotë se ka dy mënyra për të t’u dhënë fund këtyre ‘Fake News”.

Të sanksionohen me ligj ata që dezinformojnë si dhe të bëhet një lëndë për mediat në shkollat e mesme në Kosovë.

“Shoqëritë demokratike këtë problem e kanë të zgjidhur në dy forma. Së pari, vendet me demokraci të stabilizuar siç janë vendet e Europës Perëndimore ka raste kur i kanë të sanksionuar me ligje format e tilla të keqfunksioneve të medias. Mirëpo, në rastin e Kosovës unë mendoj që zgjidhja përmes një ligji do të ishte zgjidhje jo e dobishme, duke pasur parasysh faktin që demokracia jonë është ende e brishtë dhe kemi një sistem gjyqësor të ndikuar nga politika”, u shpreh ai.

Lënda për shkolla “Edukimi medial” është zgjidhja tjetër sipas Zenelit.

“Forma e dytë e rregullimit kërkon kohë më të gjatë por është një formë më e qëndrueshme për sistemet demokratike. Kjo formë lidhet me edukimin e publikut për rolin, funksionin dhe përgjegjësitë që kanë mediat në shoqëri. Pra, futja e një lënde mësimi për Edukim medial në sistemin publik para universitar si lëndë obligative është njëra nga format më efikase për sensibilizimin e shoqërisë, e cila pastaj do t’i përdorte ato njohuri për t’i seleksionuar vetë informacionet e dobishme dhe të vërteta”, potencoi Zeneli.