Rrëfimi për njësinë ushtarake që e bëri krenare Kosovën

Dhjetë vjet më parë, Lulzim Rexhepi kishte veshur për herë të parë uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës si kadet i saj.

Një dekadë më vonë, Rexhepi e sheh veten të graduar si nënoficer i Lartë i Njësitit të Kërkim- Shpëtimit.

Ai në këtë njësit merret me trajnimin, disiplinën e pjesëtarëve të njësitit që i takon.

Njësiti i kërkim- shpëtimit i cili funksionon në kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës, merret me kërkim shpëtim në male, ato në vende urbane, në ujëra dhe në raste të zjarreve ku bëjnë lokalizimin dhe shuarjen e tyre. Pjesë e njësitit janë edhe qentë, fama e të cilëve u rrit duke qenë pjesë e ekipit edhe në ndihmat në Shqipëri në ditët pas tërmetit të 26 nëntorit.

Që nga koha kur ka marrë detyrën për t’i shërbyer ushtrisë në njësitin e kërkim- shpëtimit, Rexhepi thotë se kanë pasur intervenime të ndryshme ndërsa tregon edhe vështirësitë që ka hasur.

“Ne si njësit kemi marrë pjesë në shumë intervenime reale në vend, në fusha të ndryshme si në male, ujëra, urban dhe zjarrfikje. Vetë natyra e këtyre intervenimeve paraqet vështirësi por falë trajnimeve që i mbajmë na krijojnë mundësi më të favorshme me tregu performancë tonë më të suksesshëm në realizimin e tyre”, thotë Rexhepi.

Ai tregon edhe se si i zhvillojnë trajnimet si njësit.

“Ne kemi një plan trajnimi që e zhvillojmë sipas planit kalendarik të stërvitjeve, trajnimet i ndajmë në dy faza në trajnimin teorik dhe praktik gjithashtu realizojmë edhe trajnime fushore të planifikuara nga Forca e Sigurisë se Kosovë”, tha Rexhepi.

Lulzim Rexhepi ishte pjesë e ekipit i cili u dërgua në Shqipëri më 26 nëntor pas tërmetit tragjik që goditi po të njëjtin vend.

Rexhepi së bashku me disa kolegë të tij morën rrugën për të ndihmuar në kërkimin e personave që dyshoheshin se kishin mbetur brenda rrënojave të ndërtesave të shembura pas tërmetit.

“Ne si njësit kemi marrë pjesë me njësitin e kërkim shpëtimit urban në Shqipëri, atje kemi pasur të angazhuara skuadrat e ekipit të kërkim shpëtimit urban dhe njësitin K- 9, ku kemi pasur edhe pajisjet që kemi përdorur që kanë qenë pajisje digjitale, kamera që e bëjnë hulumtimin në gërmadha”, tregon ai.

Ai thotë se në momentin që kanë shkuar në Shqipëri i janë bashkangjitur ekipeve të tjera të shpëtimit.

“Ne me fillim kur kemi arritë në lokacionet e prekura në Shqipëri, në Thumanë dhe Durrës kemi filluar t’u bashkëngjitemi njësiteve që kanë qenë në intervenim më herët. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë dhe kemi pasur sukses në të gjitha punët që i kemi bërë së bashku”, tregon Rexhepi duke shtuar se rasti në Shqipëri ka qenë i rëndësishëm dhe i veçantë ndërsa tregon edhe se janë munduar të bëjnë më të mirën për të u dalë në ndihmë qytetarëve në zonat e prekura pas tërmetit të 26 nëntorit në territorin shqiptar.

Madje pjesëtari i FSK-së tregon edhe se çfarë kishte parë në momentet e para pasi kishin shkuar në Shqipëri.

“Ne kur kemi shku kemi parë objekte të rrënuara mund të them tërësisht dhe aty menjëherë kemi filluar të operojmë me ekipin e K-9 dhe kamerat duke hulumtuar në ato vrimat të cilat kanë qenë më të ngushta për të verifikuar nëse ka pasur persona të ngujuar”, tregon ai tutje për operacionin e kërkim- shpëtimit në Shqipëri.

Ai shpjegon edhe bashkëpunimin me autoritetet e tjera të kërkim shpëtimit nga shtete të ndryshme që kishin dalë në ndihmë të Shqipërisë.

“Gjatë këtij operacioni në Shqipëri duke pasur parasysh trajnimet e ushtrimet që i kemi bërë më herët, kemi bashkëpunuar mirë, jemi koordinuar me të gjitha ekipet që kanë qenë pjesëmarrëse në këtë operacion dhe gjithçka ka shkuar mirë”, thotë ai.

Nënoficeri i njësitit të kërkim- shpëtimit tregoi një rast për të cilin tregon se ka qenë i vështirë.

“Gjatë operacionit që kemi pasur të kërkim- shpëtimit është një rast i veçantë ku në një lum kemi nxjerrë një fëmijë rreth moshës 12 vjeçare, ka qenë e rëndë shumë për familjen, por prapë se prapë ata janë pajtuar me atë që kishte ndodhur”, ishte një nga rrëfimet që i ka mbetur në mendje Rexhepit.

Si një pjesëtar i FSK-së, i cili vazhdimisht është në krye të detyrës dhe në shërbim të popullit, Rexhepi tregon edhe se si arin të menaxhojë kohën e tij me familje.

“Për një periudhë të gjatë në FSK duhet të gjejmë kohë edhe për familjen në vikend apo pas përfundimit të orarit, ne jemi çdo herë 24 orë në shtatë ditë të javës dhe jemi të angazhuar gati se çdo herë me detyra që na dalin përpara”, thotë Rexhepi.

Ai tutje për KALLXO.com tregon edhe si është dita e një pjesëtari të FSK-së në këtë rast të njësitit të kërkim- shpëtimit.

“Në orën 8 vijmë në mëngjes, fillojmë procedurat që i kemi këtu vazhdojmë me punë angazhime nëse kemi trajnime bëjmë vizita trajnuese, japim instruksione shohim në cilin vend mundemi me bo trajnimin e ardhshëm, e kështu deri në përfundim të orarit të punës”, thotë ai.

Trajnimet sipas nënoficerit Rexhepi mbahen në klasë për pjesën teorike ndërsa jashtë klasës kryhen trajnimet praktike saktësisht në zonat për të cilat edhe punon ky njësit.

“Shkojmë prej terrenit ku është, në fillim në kazermë këtu dhe pastaj edhe jashtë kazermës, nëpër male, nëpër kodra që janë më të ngritura”, tregon ai.