Bastoret, ilustrim

Rrëfimi i kosovarit që humbi 70 mijë euro në baste

Me paratë që humbi në bastore, thotë se do të mund të blinte një banesë në Prishtinë.

Pa dashur të zbulojë emrin, djali 28 vjeçar rrëfeu për KALLXO.com varësinë e tij 15 vjeçare nga bastet.

Tiketat e bastit, këtë djalë e kishin lënë pa para, vullnet, shoqëri  e gati edhe pa përkrahje familjare.

Ai kishte filluar lojën me baste në moshën 13 vjeçare dhe kishte vazhduar për 15 vite.

“Unë me 19 vjet kam arritë me shku borxh në bastore deri në 20 mijë euro, ajo ka shku kështu gradualisht për dy javë duke lujtë me 1 mijë, 2 mijë me 500 euro edhe ka ardhë fundi, ka ardhë një moment i caktuar kur pronari i bastores ka thonë që të hanën duhet me i pagu komplet paret, unë nuk e kam pas asnjë pare në xhep, absolutisht asnjë. Edhe një shok i jemi ka punu në atë bastore ku lujsha unë, aty kam shku te ai shoki edhe i kam thonë a ka mundësi me lujtë edhe një tiketë me 1 mijë, ai tha ku janë 20 edhe për një nuk bëhet nami edhe unë i lujta dy tiketa me kah 500, të njëjta të dyja”, rrëfen ai.

Edhe pse ai kishte hequr dorë nga luajtja e shumave të mëdha për një vjet e gjysmë, ai i është rikthyer përsëri këtij zanati.

“Pastaj jemi bërë ortak me një shok edhe kemi lujtë bashkë, një shok tjetër i joni e ka pasur një pikë të bastit në një vend të caktuar edhe jemi shku te ai edhe e kemi pas barazimin çdo një muaj. Për një muaj kemi bërë qarkullim në atë pikën e bastit afër 80 mijë euro, domethënë veç dy vetë. Kur ka ardhë fundi i muajit, që ka ardhë barazimi, jemi konë afërsisht 1800 euro fitim. Tash llogarite 80 mijë euro, me gjithë atë stres i ke fitu veç 900 euro, domethënë 900 unë, 900 ai shoku e stresin duke e pas gjithë kohën, aktual përditë, çdo ditë, çdo ditë.”, thotë ai.

Varësia e këtij djali kishte arritur në një pikë që nganjëherë mos të ishte i vetëdijshëm fare që kishte luajtur shuma të mëdha natën vonë derisa ishte duke pirë me shokët.

” Ka pas raste kur i kemi lujtë nga 500 e 600 euro natën, në ora 3 të mëngjesit që kur jemi çu të nesërmen prej gjumit nuk e kemi ditë që kemi lujtë kaq shumë. Domethonë tre vetë me nga 600 euro, i bjen 1800 euro, i kemi lujtë për 1 orë e gjysmë edhe nuk e kemi ditë që kemi lujtë, kemi harru edhe të nesërmen nuk na u ka kujtu ajo”, rrëfen ai.

Familja e tij e kishte përkrahur edhe financiarisht gjatë periudhës 15 vjeçare.

“Familja më ka nejtë krejt kohën afër, kom bo aq shumë skandale, sa nuk di me t’i përmend, aq shumë pare më kanë dhonë familja për me i çu në bastore sa minimumi kisha mujtë një banesë në Prishtinë me pas, me qato pare që i kam çu në bastore, që i kam hup e që m’i ka dhonë familja, e më ka përkrah tejmase. Po dikur u lodhë edhe familja edhe ka thonë ose zgjedh ose këtë jetë që je tu e bo ti palidhje, pa kry e pa kurgjo, ose zgjedhe shtëpinë tënde”

Tashmë, ai thotë se e ka tejkaluar varësinë 15 vjeçare nga bastet dhe të gjitha borxhet që i ka pasur gjatë kësaj periudhe, i ka larë.

Ai porosit për të këqijat e basteve dhe lojërave të fatit dhe udhëzon largimin nga kjo rrugë të gjithë njerëzve që mund të preken nga varësia.

“Jo, ajo u bo zero krejt, nuk kam mo problem me askënd, sa i përket bastores jam në rregull, obligimet i kam kry krejt, po pikë në zemër të mbetet gjithë jetën se çka kam bo, se nuk është është lehtë me i humbë 60 mijë ose 70 mijë euro me vetëm 28 vjet, është shumë kogja e madhe me i humbë 60-70 mijë euro ,me veç 28 vjet, njerëzit ndoshta punojnë krejt jetën në Kosovë, me 200 euro rrogë, krejt jeta iu shkon tu punu edhe nuk i fitojnë 70 mijë, të mbetet pikë në zemër gjithë jetën po është mirë gjithë kohën me nejtë duke ia largu vetes deri në një pikë ku kam ardhë unë që është si ke si nuk ke”, përfundon rrëfimin ai.

Tashmë pritet mbyllja e bastoreve

Dy vrasjet që kanë ndodhur në pikat e lojërave të fatit në Lipjan dhe Suharekë, ishin si një zile në vesh të kryeministrit e deputetëve.

Ato bënë që e gjithë vëmendja të kthehet te çështja e pikave të lojërave të fatit. Rezoluta për pezullimin e veprimtarisë së lojërave të fatit, si iniciativë e LDK-së u miratua me 74 vota.

Ndërsa projektligji për mbylljen e pikave të lojërave të fatit kaloi në Qeveri, ai u miratua me procedura të përshpejtuara në Kuvendin e Kosovës, në seancën e 28 marsit.

Tashmë është çështje ditësh deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji i cili do të bëj që të mbyllen 301 pika të basteve dhe 135 lokale me automate, të cilat kanë qenë të licencuara nga Agjencia Tatimore të Kosovës.

436 pika të lojërave të fatit të cilat janë të licencuara e shumë të tjera të cilat nuk janë të licencuara do të mbyllen për një periudhë prej 10 vjetësh.