Roth: BE-ja e Pakompletuar Pa Kosovën

Ministrat francezë dhe gjermanë të shtetit për çështjet e Evropës u shprehën optimistë për liberalizimin e vizave për Kosovën, por në takimin e tyre me ministrin e Integrimit Bekim Çollaku u përmend edhe gazi lotsjellës i përdrur nga opozita.

Në takimin që ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku pati me Harlem Désir, ministrin Francez të  Shtetit për Çështje të Evropës dhe Michael Roth ministër Gjerman të Shtetit për Evropë u tha së këto dy vende përkrahin integrimin e Kosovës në BE.

Çollaku tha se vizita e tyre po bëhen në një moment shumë të qëlluar, meqë vendi ynë është në procesin e integrimit.

“Tema kryesore të diskutimit kishim MSA-në, liberalizmin e vizave dhe bashkëpunimin rajonal. Veç kësaj kam përdorur këtë mundësi për t’ua prezantuar punën tonë për liberalizimin dhe kam kërkuar mbështetjen për liberalizimin e vizave,” tha Çollaku.

Ai shtoi se kanë diskutuar edhe për përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Paris.

“Si dy shtete anëtarë themelues të BE-së, Franca dhe Gjermania përfaqësojnë shembullin e përsosur si duhet kaluar problemet dhe të mendojmë për të ardhmen,” tha Çollaku.

Ndërsa mbështetjen për Kosovën e rikonfirmoi edhe Harlem Désir, ministër Francez i Shtetit për Çështje të Evropës.

“Franca dhe Gjermania janë mbështetëse të perspektivës evropiane të Kosovës. Kosova ka bërë përparim të dukshëm. Ka ende shumë punë e reforma, por reformat janë të rëndësishme drejt perspektivës evropiane. Jemi duke pritur propozimin nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave dhe të shohim çka mund të bëjmë. Raporti i komisionit ka qenë mjaft inkurajues,” tha Désir.

Edhe ministri francez mori shembull vendin e tij dhe atë të homologut gjerman për pajtimin mes shteteve.

“Franca dhe Gjermania janë model si mund të pajtohen dy shtete që dikur kanë qenë armike. Ballkani Perendimor i takon familjes evropiane,” tha Désir.

Me mesazhet e ministrit Désir u pajtua edhe ministri Roth.

“Jam i lumtur të uroj Kosovën për hyrjen në fuqi të MSA-së. BE-ja nuk do të jetë komplete pa vendin tuaj,” tha Roth.

Ai tha se Kosova mund të mbështetet në vendin e tij në rrugëtimin që ka drejt BE-së.

Roth deklaroi se është i vetëdijshëm që populli i Kosovës është duke e pritur me padurim liberalizimin dhe se e kupton ndjenjën e izolimit. Por, nuk harroi të përmend lotsjellësin.

“Gazi lotsjellës është përdorur edhe në inaugurimit e Presidentit. Dhuna nuk ka vend në inaugurim e Parlament, nuk është metodë e duhur për të arritur qëllimet. Dallimet politike mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut,” sugjeroi Roth.

E kur u pyet për liberalizmin, ai shtoi se duhet kujdes në efektet e mundshme të liberalizimit ndaj emigrimit dhe çështjeve të sigurisë.

“Jemi në procesin e diskutimit me partnerët tanë të BE-së se çfarë ne mund të bëjmë për të luftuar abuzimin e  mundshëm të vizave. Ky është problemi, por ne jemi shumë optimistë se ka një shans për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën dhe për BE-në,” tha Roth.

Homologu francez i Roth-it, Désir tha se procesi i vendimmarrjes për liberalizim vizash është një proces mjaft i komplikuar dhe nuk varet vetëm dy qeveritë, e Gjermanisë dhe e Francës.

“Ky është një vendim i Parlamentit të BE-së dhe ky është një vendim i Këshillit të Ministrave dhe institucionet e Bashkimit Evropian duhet të përfshihen. Hapi tjetër është qartësimi i rekomandimeve të Komisionit të BE-së,” tha Désir.