Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Reagim i KALLXO.com pas paralajmërimeve të PDK-së për padi për shpifje

Lexuam në disa media një paralajmërim se PDK dëshiron të ngrisë padi për shpifje për KALLXO.com dhe Kryeredaktoren e BIRN Kosovës, Jeta Xharra.

Së pari, rendi e do që reagime të tilla të bëhen në mediat ku është shkruar artikulli e jo të shfrytëzohen mediat e tjera për të nisur fushatë.

Taktika e sulmeve të tilla për ne është e njohur, për me ju hedhë sy qytetarëve për kontratën, rruga më e lehtë është me thanë që kemi bo padi dhe po kërkojmë dëmshpërblim.

Duke i shpallur si të pavërteta hulumtimet, PDK dhe Dhurata Hoxha po mundohen që me hedhë hi syve për ato që janë bërë me paratë e kontratës së lobimit.

Deri sot, përpos lajmeve nga disanca për nisma të tilla, këta njerëz nuk guxojnë të dalin publikisht dhe para kamerës të ballafaqohen me gjetjet e hulumtimit.

Duke e ditur që kanë ndërtu një sistem të drejtësisë ku paditë gjykohen pas pesë apo dhjetë vitesh, PDK po tenton me garantu mbrojtje që hulumtimin e publikuar te ne të tentojë ta shpallë si të pavërtetë.

Si shumë raste të tjera, kjo padi përfundon me fitore të raportuesve, sepse i kemi provat dhe faktet për ato çka është raportuar.

Në këtë fazë të zhvillimeve në Kosovë, me harxhu energji duke i luftu mediat e lira, të pavarura, hulumtuese është gabim i madh sepse në fakt ajo energji duhet të shpenzohet për të riparuar gabimet dhe për të reflektuar për formën e gabimeve që janë bërë në të kaluarën.

 Kurrë nuk është vonë edhe me pranu gabimin, por sidomos me u reformu edhe si parti por edhe si mendësi politike.

Tentimi me i goditë mediat e pavarura gjithmonë përfundon në goditje për veten e vet e subjektit që e inicon, e kjo është vërtetuar disa herë në Kosovë sepse drejtësia nuk është macë me të grrithë por vjen në vend, edhe kur vonohet ndonjëherë.

Redaksia KALLXO.com