Kandidati për deputet Radoica Radomiroviq. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Radomiroviq: Asociacioni s'do të sjellë diçka të mirë për serbët

Kandidati për deputet nga Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore” (Narodna Pravda), Radoica Radomiroviq, thotë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do t’ju sjellë diçka të mirë serbëve. Bile, ai ka bindjen se shumica e popullsisë serbe nuk e di se çfarë nënkupton ky Asociacion, por ka frikë se një Asociacion i tillë do të përdoret për të ushtruar presion mbi qytetarët serbë të Kosovës.

“Formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e shoh si një gjë që nuk do të sjellë diçka të mirë për serbët. Kam frikë se ata që do të drejtojnë atë Asociacion do të mund të krijojnë një mendësi të ngjashme, siç kemi pasur me Listën Serbe, ku ata që do të jenë në atë Asociacion do të kryejnë përgjegjësi aty dhe do të ushtrojnë presion mbi qytetarët tanë”- u shpreh ai.

Tutje, ai thotë se ajo çfarë ju intereson serbëve në Kosovë është integrimi në arsim dhe shëndetësi për një jetë më të mirë.

Ndërsa, presidentin serb Aleksandar Vuçiq e konsideron si tradhtarin më të madh të serbëve të Kosovës.

“Për ne Vuçiq është tradhtari më i madh që ka tradhtuar interesat serbe në Kosovë dhe ka plaçkitur popullin serb. Gjithçka që ka thënë se nuk do të japë e ka dhënë”- tha Radomiroviq.

“Debat Përnime” është format i cili është transmetuar për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që kanë prezantuar programet e tyre, janë përballur me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “shenjëstruara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në emisionin e fundit zgjedhor ka ftuar Nismën Qytetare nga komuniteti serb.

“Kemi dashtë me e përmbyllë këtë seri të debateve zgjedhore duke i dhënë hapësirë një pjesë më pak të përfaqësuar të shoqërisë tonë. Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve. Këtu ishim dashtë më u ndje rahat edhe të sigurt edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe turqit, edhe boshnjakët, edhe romët, edhe ashkalinjët, edhe egjiptasit, edhe goranët, edhe terbeshet”- ka thënë ajo.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Për mirëqenien e serbëve dhe kundër Asociacionit: Zotimet e Iniciativës Qytetare “Drejtësia Popullore”