QKUK largon drejtorin e dyshuar për ryshfet, por i jep gjysmën e pagës (DOKUMENT)

Drejtori i Klinikës së Urologjisë në QKUK, Rexhep Kasumaj, është larguar përkohësisht nga puna pas një vendimi të zyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK, Basri Sjediut.

Sipas vendimit të SHSKUK-së, Kasumajt i takon e drejta e kompensimit në pagë në lartësi prej 50 përqind.

Zyra e Drejtorit i ka konfirmuar KALLXO.com se doktori Rexhep Kasumaj është larguar nga puna e tij përkohësisht për shkak të veprës penale marrje ryshfeti në vend të punës.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar e Kosovës, ju njofton se drejtori i përgjithshëm i SHSKUK, ka marrë vendim për largim të përkohshëm nga puna të dr. Rexhep Kasumaj. Në vend të tij, ka emëruar ud. Drejtor, dr. Sabit Mehmeti”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Drejtorit të SHSKUK-së.

Vendimi vlen deri në vendimin e komisionit disiplinor.

KALLXO.com ka siguruar edhe vendimin për largimin nga puna të ish- Drejtorit të Urologjisë, Rexhep Kasumajt.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se “..më datë 06.07.2018 rreth orës 10:20 Drejtoria për Hetimet e Krimeve Ekonomike, pas pranimit të një informate të një qytetari ka ndërmarrë disa veprime policore, në drejtim të hetimit të një person mbi dyshimin e bazuar mbi veprën penale marrje ryshfeti. Si rezultat i veprimeve të shpejta të hetuesve policor është arrestuar në flagrancë i dyshuari Doktor Rexhep Kosumaj, i cili dyshohet se nga një qytetar ka marrë para për ti kryer shërbime mjekësore në vendin e punës. I njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Në vendim thuhet se specialistët e QKUK-së, janë të obliguar të kryejnë detyra profesionale dhe mjekësorë në bazë të kapaciteteve që ka klinika në këtë rast nuk duhet të keqpërdoret profesioni në shërbim të pacientit dhe pozita e drejtorit.

Vendimi për largimin e përkohshëm nga puna të drejtorit të Urologjisë në QKUK.