Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria miraton Projektligjin për Zyrtarët Publikë

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për miratimin e Projektligjit për Zyrtarët Publikë.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka prezantuar projektligjin para kabinetit qeveritar.

“Synojmë të rregullojmë marrëdhëniet e punës për çdo zyrtar publik, është kushti kryesor për reformën në administratë publike. Ky rol kaq fisnik i zyrtarit publik mund të përmbushet kur të jetësohet parimi i profesionalizimit, transparencës dhe llogaridhënies” – tha ministri Sveçla.

Ky projektligj ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarit publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarit publik në institucionet e Republikës së Kosovës.