Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Punëtori i Postës i akuzuar për falsifikim të dokumentit, nuk vjen në gjykatë

Mungesa e të  akuzuarit, ka qenë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësorë në të cilën zyrtari i Postës dhe Telekomit të Kosovës, dega në Graçanicë, Milos Ristiç, është duke u akuzuar për  falsifikim të dokumentit zyrtar.

Sipas prokurorisë Milos Ristiç,në cilësinë e personit zyrtar në Postën e Telekomit të Kosovës, dega në Graçanicë, më 14 nëntor 2013 kishte dorëzuar shkresën zyrtare në të cilën kishte shënuar të dhëna të rreme, jo të duhura.

Kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, deklaroi se i akuzuari Restiç edhe pse ishte i ftuar në mënyrë të rregullt nga Gjykata, mungesën e tij  nuk e kishte arsyetuar.

Tutje gjykatësi Ibrahimi, bëri të ditur se mungon edhe i dëmtuari Dobrivoje Arsiq, ku nga të dhënat e Policisë, thuhet se i njëjti për një kohë të gjatë nuk jeton në adresën e njëjte, dhe se tani gjendet në Republikën e Kroacisë.

Më pas mbrojtësi i të akuzuarit Ristiç, avokati Dobrica Lazic, e njoftoi trupin gjykues se klienti i tij  nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme, pasi që  bashkëshortja e tij kishte qenë me shëndet jo të mirë dhe iu kishte dashur të niset për në Nish.

Kurse prokurori Shkëlzen Ibrahimi, i propozoi trupit gjykues, që të sigurohet prezenca e të dëmtuarit Arsiq në seancën e radhës pasi qe i njëjti do të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit.

Trupi gjykues e aprovoi kërkesën e prokuroritë të shtetit, the shtoi se për prezencën e të dëmtuarit do të kërkohet ndihëm juridike ndërkombëtare, përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe seancën e radhës e caktoi për datën 18 dhjetor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 30 dhjetor 2016, ndaj Milos Ristiç, me të cilën thuhet se në cilësinë e personit zyrtar në Postë Telekomit të Kosovës, dega në Graçanicë, më 14 nëntor 2013 kishte dorëzuar shkresën zyrtare në të cilën kishte shënuar të dhëna të rreme, jo të duhura.

Sipas aktakuzës, Ristiç, si zyrtar i postës kishte pasur për detyrë të dorëzojë një vendim të Gjykatës Themelore, dega në Graçanicë në adresën e të dëmtuarit Dobrivoje Arsiq, në fshatin Batushë, Komuna e Graçanicës, mirëpo në vend se të kryente punën e tij i pandehuri thuhet se e kishte falsifikuar nënshkrimin e të dëmtuarit dhe kishte nënshkruar në emër të tij si marrës i vendimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i njëjti kishte bërë kinse shkresa është dorëzuar në mënyrë të rregullt, ndërsa shkresën apo fletë kthesën e Gjykatës, dhe zarfin me aktvendim të Gjykatës e kishte lënë në një dyqan në të njëjtin fshat.

Për këtë veprim Ristiç akuzohet për veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar.

 

#