Punëtorët e krahut e demantojnë kryeministrin për uljen e papunësisë

Gëzimin e kryeministrit të Kosovës me disa shifra që tregojnë ulje të papunësisë nuk po e ndajnë në teren edhe personat që kanë vështirësi në punësim.

 

Kryeministri Ramush Haradinaj ka publikuar disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku deklaron se papunësia në Kosovë për muajt janar-mars ka rënë për 4.7 përqind.

“Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9 %, për periudhën janar – mars 2019 në krahasim me periudhën tetor – dhjetor 2018 që ishte 31.6%”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

KALLXO.com ka vizituar sot punëtorët e krahut, ata të cilët gjatë gjithë ditës qëndrojnë në rrugë duke pritur dikë që mund t’u ofrojë ndonjë punë gjatë ditës.

Abaz Krasniqi vjen çdo ditë nga fshati Çallapek i Lipjanit në Prishtinë për të kërkuar punë, ai demanton kryeministrin se ka rënë papunësia.

“Papunësia nuk ka zbritë në Kosovë po është rrit 200 përqind. Prej pasluftës dalim qetu si punëtorë shitemi, vet i teti anëtarë jam me dhjetë euro çka të bëjë. Shkojmë në firma në ndërtimtari mbyten njerëzit askush nuk jep përgjegjësi. As nuk ka sigurim as kurgjo prapë ma mirë qetu me ndejt në diell me u pjek se me shku atje në katin e tetë e me ra e askush mos me dhanë përgjegjësi”, thotë ky punëtorë krahu.

Sipas tij për të fituar një punë duhet të kesh njerëz të afërt me politikën përndryshe nuk mund t`ia dalësh.

“Ta kishim pas një kryeministër tonin ose dikë që punon në Parlament ndoshta na e kish gjetë një punë po na s’i njohim se s`kemi marrëdhënie me ta, ata veç të afërmit e tyre i punësojnë për popull s`ju intereson si PDK, si LDK, si VV si AAK krejt njëjtë janë një brum”, thotë ai.

Kolegët e Abazit hezituan të flasin para kamerave. Ata pas kamerave të KALLXO.com thonë se për shkak se nuk gjejnë punë tjetër ata detyrohen të punojnë punëtorë krahu dhe se ata duke qëndruar në rrugë çdo ditë nuk e shohin zbutjen e papunësisë me sytë e kryeministrit Haradinaj.