Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Protestuesit në Ferizaj, kërkojnë drejtësi për vdekjen e 18 vjeçares

Para Stacionit të Policisë, para Gjykatës dhe Para Prokurorisë së Ferizajt, sot është protestuar duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 18 vjeçares nga dy persona të dyshuar e tashmë të arrestuar.

Në protestën e organizuar në Ferizaj nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore,

kanë marrë rreth 200 persona të cilët e kanë shprehur revolten në institucionet e drejtësisë pasi sipas organizatorëve të protestës, dhuna në familje është duke u neglizhuar.

Bjeshkë Guri, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore tha se rasti i fundit në Ferizaj tregon se në shoqërinë kosovare nuk ka vend të sigurt për gratë dhe vajzat.

“Ky rast i femicidit përveç që është duke shpërfaqur mendësinë dhunuese patriarkale, është tregues i dështimit institucional për ta trajtuar sigurinë e grave me prioritet”, tha Guri.

Guri tha se për të adresuar fenomenin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, institucionet duhet të respektojnë Konventën e Stambollit, duhet të ketë dënim maksimal për vrasësit, duhet të ketë siguri për gratë dhe vajzat në të gjitha hapësirat.

Kuvendi i Kosovës në shtator të vitit 2020 e përfshiu Konventën e Stambollit në Kushtetutë, e cila është hartuar nga Këshilli i Evropës, është instrument obligues që detyron shtetet ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe dhunën në familje.

Ajo po ashtu pati një kërkesë specifike për Policinë e Kosovës.

“Kemi edhe një kërkesë drejtuar në mënyrë specifike Policisë dhe kërkojmë nga ta që të trajtojë me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë rastet e tyre të kanosjes, të kërcënimit, përdhunimit apo të çfarëdo rasti tjetër në baza ditore”, tha Guri.

Vajza 18 vjeçare me inicialet M.O. që dyshohet të jetë vrarë dhe më pas është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Ferizajt, është varrosur gjatë ditës së sotme.

Të dielën, pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt, është dërguar 18 vjeçarja M.O., e cila sipas Prokurorisë së Ferizajt, dyshohet se është vrarë nga dy persona.

KALLXO.com ka siguruar edhe kërkesën e paraburgimit ku janë përshkruar dyshimet e para që quan në vrasjen e M.O.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim.

Dosja e prokurorisë së 18 vjeçares thotë tutje se ajo u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje.

Sipas Prokurorisë, gjatë gjithë kohës në vendngjarje ishte edhe i dyshuari me inicialet A.S. por i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim.

Gjatë ditës së diel një vajzë 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jetë në emergjencën e spitalit të Ferizajt.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se ajo ishte dërguar në spitalin nga dy persona, të cilët u identifikuan pas disa orësh.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com