Amber Kotrri | Foto: Fotografi familjare
Pronarja e butikut 'House of Zana' e fiton betejën me ‘Zara’ lidhur me emrin e biznesit
Pronarja e një butiku të vogël thotë se është “tejet e lumtur” pasi fitoi një betejë me gjigantin e modës “High Street”, Zara.
Amber Kotrri, e cila drejton ‘House of Zana’ me seli në Darlington, i ishte thënë nga shitësi që biznesi i saj ishte “konceptualisht identik“.
Zara kishte argumentuar se kishte një “shkallë të lartë ngjashmërie vizuale dhe orale” midis dy brendeve.
Mirëpo, një gjykatë zbuloi se kjo ngjashmëri ishte “shumë e parëndësishme”.
Ajo tha se gjykimi ishte një “peshë e vërtetë mbi supet e mia”.
“Ka qenë më shumë se një vit dhe shumë stresues në jetën time në shtëpi, si nënë e tre fëmijëve të vegjël, si dhe për biznesin, pasi më janë nevojitur me orë të tëra për përgatitjen e dokumenteve të dëshmive” – tha ajo.
“Data e lindjes së vajzës sime përkoi me kohën kur u caktua dëshmia e fundit, kështu që nuk ka qenë e lehtë”
Zonja Kotrri tha se kishte pranuar një email që e informonte për vendimin e gjykatës ndërkohë që ishte në një vizitë në teatër me tre fëmijët e saj – por iu deshën disa ditë për ta marrë guximin për ta hapur atë email.
“Ishte një dokument mjaft i gjatë dhe unë nuk mund të kuptoja shumë prej tij pasi isha shumë nervoz” – tha ajo.
Megjithatë, ajo tha se i kishte parë fjalët “kundërshtimi është i pasuksesshëm” dhe ishte ndjerë e lehtësuar që do të ishte në gjendje të vazhdonte me rritjen e biznesit të saj.
“Ka qenë shumë stresuese – mirëpo dolëm fitues” – shtoi ajo.
Në muajin maj, zonja Kotrri, e cila përfaqësonte veten e saj në gjykatë, kishte thënë në seancën gjyqësore se nuk kishte “gjasa” për t’i ngatërruar brendet.
Zara kishte argumentuar se aplikimi për brendin tregtar ‘House of Zana’ duhet të refuzohej sepse ishte shumë i ngjashëm në emër, gjë që mund të rezultonte në ngatërrimin e një brendi tregtar me një tjetër nga klientët.
Julia King, e cila e përfaqëson Zara, tha se emri Zana ishte “një shenjë tejet e vogël” larg atij të klientit të saj, duke shtuar se brendi me bazë në County Durham “nuk ishte dalluese dhe vetëm përshkruese”.
Sipas saj, kjo mund të përbënte një “kërcënim serioz” për Zara-n nëse tregu ishte i mbushur me brende që dukeshin dhe tingëllonin të ngjashme.
Megjithatë, nëpunësi i gjykatës Matthew Williams vendosi se ishte i kënaqur që çdo “lidhje mendore” e bërë nga klientët midis ‘House of Zana’ dhe ‘Zara’ do të ishte “shumë e parëndësishme dhe e shkurtër” për të rezultuar në një “shfrytëzim” të reputacionit të Zara.
‘Shqip për zanat’
Zonja Kotrri, bashkëshorti i së cilës është shqiptar, e themeloi dhe e quajti kompaninë e saj në vitin 2019 sipas fjalës së vendit ballkanik për “zanat”.
Ajo tha se u kontaktua nga avokatët e Zara vitin e kaluar pasi u përpoq t’i jepte pronësinë intelektuale brendit të saj.
Zonja Kotrri tha se kishte qenë gjithashtu në kontakt me më shumë se 10 pronarë të tjerë të bizneseve të vogla të cilët ishin kontaktuar nga kompania e modës (Zara) duke u kërkuar atyre që të riemëroheshin për shkak të ngjashmërive me emrat e tyre.
Ajo e ka akuzuar më parë Zarën për sjellje “shumë frikësuese” në marrëdhëniet e saj me të.
Zonja Kotrri deklaron se “kushdo që është në një pozicion të ngjashëm do t’i thoja – ‘vazhdoni të luftoni, do t’ia vlejë në fund – jini të guximshëm dhe injorojeni mënyrën kërcënuese të formulimit të shkronjave ligjore’.
“Nëse e njihni shumë mirë biznesin tuaj, ju e dini kuptimin pas çdo emri dhe nëse e keni ndërtuar atë, atëherë luftoni për të, nuk mund t’u them fëmijëve të mi se e mbylla biznesin tim sepse dikush më i madh më tha ta mbyll” – thotë ajo.
Inditex, kompania mëmë e Zara – është një nga grupet më të mëdha të shpërndarjes së modës në botë me 6,477 dyqane, duke përfshirë Bershka, Pull & Bear dhe Massimo Dutti.
Një zëdhënës i Zara tha se ndërkohë që ata nuk donin të komentonin vetë lidhur me gjykimin, kompania “vazhdon t’i uroj” zonjës Kotrri dhe biznesit të saj “suksese në të ardhmen”./BBC