Prokurorisë i ‘zhduket’ CD-ja me prova në gjykimin e ish-policëve dhe të akuzuarve tjerë

Një CD me prova të prokurorisë, që ishin siguruar me masa të fshehta po rezulton e zhdukur.

Transferimi i lëndës nga Vushtria në Mitrovicë po dyshohet të jetë koha kur kjo CD humbi.

Në rastin ku disa persona po gjykohen për tregti të ndaluar, shmangie nga tatim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, në mesin e të cilëve janë edhe katër ish- policë u bë administrimi i provave.

Në këtë seancë prokuroria ka deklaruar se nuk e posedon CD-në e transkriptave telefonike.

Në Gjykatën e Mitrovicës, vetë prokurori Njazi Rexha ka thënë se prokuroria nuk e posedon CD-në e transkriptave telefonike e cila ishte siguruar permes masave të fshehta.

Ai  deklaroi se  më parë nuk ka qenë prokuror në këtë çështje penale dhe se nuk e ka poseduar asnjëherë këtë CD.

Tutje Rexha ka shtuar se ka kërkuar sqarime prej zyrës për menaxhimin e lëndëve dhe se kanë ardhur në një përfundim se kjo CD mungon, sipas tij kjo CD është shmangur nga lënda gjatë transportimit nga Vushtrria në Mitrovicë.

Ai po ashtu tha se është bërë përpjekje që përmes zyrtarëve policorë të sigurojnë këtë CD në kompaninë “IPKO”, mirëpo sipas prokurorit ata kanë marrë përgjigje se të dhënat i kanë të ruajtura deri në vitin 2015.

Pas kësaj avokatët Arsim Bilalli, Heset Mazrekaj, Arben Ramadani, Xhafer Maliqi, Sheremet Ademi, Behar Ejupi dhe Jusuf Mejzini, i kanë propozuar gjykatës, që transkriptet e përgjimeve të shpallen si prova të papranueshme, pasi që sipas tyre transkriptet e marra nga CD-ja, e cila mungon në shkresat të lëndës, iu mungon aspekti i të provuarit që atë ta bëjë të besueshme dhe se sipas tyre konsiderohet se janë plotësuar kushtet ligjore që prova në fjalë të shpallet e papranueshme.

Ndërsa prokurori Rexha, është shprehur se konsideron se transkriptet janë të ligjshme dhe të pranueshme, duke i propozuar Gjykatës që propozimet e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuara.

Trupi gjykues me kryetar Avni Mehmetin, i ka njoftuar palët se për këtë Gjykata do të vendosë në seancën e ardhshme.

Gjatë administrimit të gjitha provave materiale të propozuara nga ana e Prokurorisë në aktakuzë, të njëjtat janë kundërshtuar pjesërisht nga ana e mbrojtësve dhe të akuzuarve në këtë rast.

Ndërsa prokurori Njazi Rexha, është tërhequr nga propozimi që të administrohen provat në raport me të akuzuarin Ismet  Zeqiri, pasi që ndaj tij është hudhur aktakuza dhe ka pushuar ndjekja penale.

Trupi gjykues, po ashtu në këtë seancë mori aktvendim për nxjerrjen e provave të reja, ku do të kërkohet nga rrjeti i telefonisë mobile “IPKO” që të sigurojë raportin me të dhënat lidhur me abonentët dhe numrat e telefonit të cilët figurojnë në transkriptet e përgjigmeve për të vërtetuar se a kanë ekzistuar ata numra të telefonit, se kush ka qenë shfrytëzues në kohën që referohet akuza, kush ka qenë pronar sipas dokumentiacionit dhe të dhëna të tjera të nevojshme për këta numra të telefonit.

Gjykatësit Mehmeti ka shtuar se nëse rezulton se ka të bëjë me pronarë të tjerë që nuk janë pjesë e aktakuzës, personat e tjerë që do të jenë evidentuar sipas listës me vendim të trupit gjykues do të ftohen si dëshmitarë në seancën e ardhshme vetëm në raport me rrethanat e pronësisë dhe posedimeve të numrave telefonik që i referohen transkripteve të përgjimit të siguruara me masa të fshehta.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicë, atëherë zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti akuzohen se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 2013 derisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për kryerjen e veprës penale të ndihmës për kryerjen e veprës penale “tregti e ndaluar”.

Po ashtu Jeton Zymeri, Driton Spahija dhe Ukë Atashi akuzohen se në bashkëkryerje në fshatin Shupkovc të Mitrovicës në vazhdimësi pa autorizim kanë shitur e blerë apo edhe shkëmbyer derivate të naftës, paraprakisht duke organizuar rrjetin e shitësve-blerësve si dhe të ndërmjetësve, duke realizuar përfitimin i cili kalon shumën 15.000 euro.

https://kallxo.com/ish-zyrtaret-policor-deklarohen-te-pafajshem-para-gjykates/?fbclid=IwAR1WKBRe6cgA-XmXupXyZvZtZrGQoQanfdKHPf5MfI_17t1hop3itM88ylU