Foto: Ilustrim

Prokuroria nuk hap hetime për vdekjen tragjike të 22 vjeçarit në Vushtrri

Prokuroria e Mitrovicës nuk ka hapur fare hetime penale për vdekjen e kamerierit 22 vjeçar nga Vushtrria, i cili vdiq pas plagëve të marra nga zjarri i gjeneratorit në vendin ku ai po punonte.

Në një përgjigje me shkrim Prokuroria në Mitrovicë ka thënë se rasti nuk është hapur fare pasi prokuroria ka ardhur në përfundimin se vdekja ishte aksidentale ndërsa nuk  kanë dhënë detaje nëse punonjësi kishte kontratë të punë apo pajisjet me të cilat ai po punonte ishin në rregull për tu përdorur.

KALLXO.com e ka pyetur prokurorinë nëse ka vërtetuar se punonjësi ishte I trajnuar për të punuar me gjeneratorin e po ashtu nëse pajisja kishte qenë në rregull në kohën e zjarrit por përgjigja ka qenë që procedura penale nuk është inicuar fare.

“Në lidhje me rastin në fjalë nuk është inicuar procedurë penale. Pas daljes në vendngjarje të ekspertit të pavarur të elektrikes dhe intervistimit të dëshmitarëve të rastit, prokurorja e rastit ka konstatuar që nuk ka elementë të veprës penale, pasi që dyshohet që deri tek ky aksident ka ardhur si pasojë e mos-kujdesit të të ndjerit gjatë mbushjes së gjeneratorit “thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

22 vjeçari Erzen Hyseni vdiq para dy dite nga plagët e marra gjatë një incidenti zjarri para rreth një jave në njërën nga kafeteritë e Vushtrrisë. Ai ishte kapluar nga zjarri në kohën ku po mbushte gjeneratorin me karburant.

Për vdekjen kishte reaguar edhe kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Javë më parë prokurorial e Prizrenit ka ngritur një aktakuzë ndaj pronarit të një kompanie të Stiroporit pasi prokurorial pretendon se punonjësi nuk ishte mirë I trajnuar për tu kujdesur për pajisjet e punës dhe pajisja nuk kishte shenja paralajmëruese të rrezikut.

Prokuroria e Prizrenit pretendon se pronari i fabrikës së stiroporit në Lubizhdë të Prizrenit është përgjegjës për vdekjen e punonjësit të kompanisë.

Sipas prokurorisë me datë 30 qershor 2018 në këtë fabrikë kishte humbur jetën punonjësi sezonal S.A. ndërsa vdekja kishte ardhur për shkak se makineritë nuk e kishin mbrojtjen e duhur.

Prokuroria në një njoftim të saj ka sqaruar se i ndjeri ishte duke punuar në makinën për riciklimin e mbeturinave të stiroporit pa pasur trajnimin e duhur si funksionon makineria.

Aktakuza sqaron se  punonjësi kishte tentuar ta hedhë një thes në këtë makinë kur ishte tërhequr nga makina shtypja e së cilës kishte rezultuar fatale për punonjësin.

“Në këtë mënyrë, i akuzuari A.B., si person juridik dhe si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 7 të KPRK-së “thuhet në njoftimin e prokurorisë.