Foto: Ilustrim

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për aksidentin ku vdiq një person

Prokuroria e Gjilanit sot ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj personit i cili dyshohet se mbrëmë shkaktoi një aksident, si pasojë e të cilit humbi jetën një person.

Pas që ka ndodhur aksidenti prokurori kujdestar, ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i viktimës, të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e autopsisë, me qëllim të hetimit të kësaj çështje penale, ndërsa ndaj të dyshuarit ka parashtruar kërkesën për paraburgim në afat prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar që ditën e djeshme rreth orës 22:55 minuta, në fshatin Uglar të Komunës së Gjilanit, saktësisht përballë varrezave të fshatit, i dyshuari K.Z., duke drejtuar automjetin e markës ‘’Opel Vectra’’, ka shkaktuar aksident trafiku.

Prokuroria pretendon se arsyeja e shkaktimit të aksidentit ishte mos përshtatja e shpejtësisë së lëvizjes, ku për pasojë i dyshuari e ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke kaluar në shiritin e kundërt të lëvizjes, ku me pjesën e parë të automjetit e ka goditur në pjesën e parë automjetin tjetër, të markës ‘’Mercedes’’, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G.S., i cili ka pësuar lëndime vdekjeprurëse.

Pas aksidentit i ndjeri G.S. ishte dërguar në Qendrën Emergjente, pa shenja jete, ndërsa, përpos dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar edhe tre pasagjerë, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.