Gjykimi i Gazmend Muhaxherit

Prokuroria: Gazmend Muhaxheri pretendon se është mbi ligjin

Në Gjykatën e Pejës është mbajtur seanca kundër Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri i akuzuar për moszbatim të vendimeve gjyqësore.

Gazmend Muhaxheri akuzohet se si person përgjegjës në cilësinë e kryetarit të komunës, refuzoi të zbatojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës se Apelit, i cili vendim e obligon të njëjtin të kthej në vendin e punës  Hysni Selmanajn.

Prokurorja e çështjes Lumturije Vuçetaj, në seancën e sotme tha se kërkesa për hedhjen e aktakuzës e parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Gazmend Muhaxheri, avokati Besnik Berisha, është në tërësi e paqëndrueshme dhe e pabazuar.

Pas argumentimit të shkresave të lëndës Vuçetaj tha se i akuzuari në cilësinë e kryetarit te komunës si person përgjegjës refuzoi ekzekutimin e vendimit te gjykatës se Apelit, çka shpie tek pretendimi se i njëjti është mbi ligjin.

Prokurorja deponoi si prova edhe dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, qe kanë për objekt vlerësimin e kushtetutshmërisë se aktvendimit të Gjykatës se Apelit për çështjet e natyrës se njëjtë si kjo e sotme, duke shtuar se i akuzuari është penalisht përgjegjës për veprën penale qe i vihet në barre.

I dëmtuari Hysni Selmanaj, ka deponuar pranë Prokurorise Themelore në Pejë, kërkesën për përjashtim të Prokurorisë  por  për këtë kërkesën nuk është vendosur ende.

“Kërkoj nga gjyqësori qe të respektohen vendimet qe i ka sjellur Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit në Prishtinë”, tha Selmanaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gazmend Muhaxheri, avokati Besnik Berisha tha se prokuroria duhet të motivohet nga ligji e jo statistikat.

“Me një prokurori objektive qe motivohet nga ligji e nuk punon për statistika, Z.Gazmend Muhaxheri nuk duhet të ishte këtu sot sepse i njëjti nuk e ka vendin këtu dhe se ajo çfarë shkruhet në dispozitivin e aktakuzes dhe përgjigjen qe dëgjuam sot provon çka kemi shkruar për kërkesen për hudhje të aktakuzes”.