Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Zoran Vukotiqit - Foto: KALLXO.com

Prokurori kërkon vendim fajësues për Zoran Vukotiqin

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot është dhënë fjala përfundimtare në rastin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për vrasjen e katër shqiptarëve më 5 maj 1999 në qytetin e Vushtrrisë.

Në fillim fjalën përfundimtare e dha prokurori Paul Flynn.

Ai tha se gjatë seancave të mbajtura, në të cilat janë dëgjuar 20 dëshmitarë, janë paraqitur prova të ndryshme të cilat kanë treguar përvojat dhe njohuritë relevante të dëshmitarëve lidhur më këtë rast, duke theksuar se shumica prej dëshmitarëve ende kanë traumat e datës 5 maj 1999 të cilat i përcjellin tash e 18 vjet pas.

Po ashtu, prokurori Flynn theksoi se duke u mbështetur në deklaratat fillestare dhe në dëshmitë kryesore do të vërtetohet se krimet e kryera nga Zoran Vukotiq ishin kryer në bashkëkryerje dhe me keqdashje të qartë të paramenduar dhe për asnjë motiv tjetër përpos urrejtjes etnike.

Tutje në fjalën e tij përfundimtare Flynn deklaroi se nga provat e paraqitura janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm pretendimet dhe propozimet kryesore për të demonstruar se Zoran Vuktiq në bashkëkryerje me të tjerët është fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë (Hamdi Fazliu, Avdullah Fazliu, Fahredin Fazliu dhe Enver Rrustolli), ditën e 5 majit 1999, vepër me të cilën akuzohet sipas pikës 1 të aktakuzës, nënshtrimin e civilëve shqiptarë të Kosovës në po të njëjtën datë përmes trajtimit çnjerëzor, përbuzjes së dinjitetit njerëzor të cilëve u ishin shkaktuar rrahje dhe cenim i integriteti trupor dhe shëndetit pika 2  e aktakuzës, si dhe nënshtrimi i civilëve në po të njëjtën datë ndaj vjedhjes ose siç njihet në kohën e luftës – plaçkitjes.

Lidhur me vrasjen e katër shqiptarëve prokurori tha se ajo ishte vërtetuar pjesërisht nga një numër i madh i raporteve të autopsisë si dhe nga certifikatat e vdekjes që ndodheshin në shkresat e lëndës.

Sipas tij nga këto raporte ishte arritur të vërtetohej se katër viktimat më 5 maj 1999 në Vushtrri ishin vrarë me të shtëna me armë në trup dhe se kur do të shqyrtoheshin këto prova nga ana e turpit gjykues nuk do të kishte dyshime veçse këto viktima ishin vrarë me “gjakftohtësi“.

Lidhur me pretendimet se vepra ishte kryer në bashkëkryerje me personin tjetër të cilin pothuajse të gjithë dëshmitarët e kishin identifikuar se Gorolub Punoviq prokurori tha se ky pretendim vërtetohej nga dëshmitë e dëshmitarëve të cilët kishin dëshmuar  para Gjykatës dhe te cilët i kishin përshkruar edhe karakteristikat trupore të dy personave të cilët më 5 maj 1999, të armatosur dhe të uniformuar, njëri me maskë dhe tjetri pa maskë, kishin hyrë në shtëpitë e civilëve shqiptarë duke i keqtrajtuar fizikisht dhe verbalisht, ndërsa në të njëjtën kohë kanë kërkuar prej tyre më kërcënime para dhe ari.

Kurse në shtëpinë e fundit në të cilën ata kishin hyrë (shtëpia e Bedri Fazliut) pas keqtrajtimit fizik të banorëve të shtëpisë më gjakftohtësi kishin vrarë Hamdi, Avdullah dhe Fahredin Fazliun si dhe fqinjin e tyre Enver Rrustollin në prezencën e dy grave, Sanije Fazliu dhe Fikrije Shaqiri, para se të shkonin nga shtëpia.

Po ashtu, prokurori Flynn në fjalën e tij përfundimtare theksoi faktin se edhe pse dëshmitë e dhëna kishin të bënin me ngjarjet të cilat kishin ndodhur para 18 viteve dhe se shumica e dëshmitarëve ishte dashur të japin dëshminë e tyre në rrethana të vështira dhe tronditëse, ishte i qartë fakti së janë vërtetuar 3 pikat e aktakuzës për të cilat akuzohet Vukotiq.

Në fund të fjalës së tij përfundimtare prokurori Flynn duke iu drejtuar trupit gjykues tha: “Nëse rasti i Prokurorisë kundër të akuzuarit duket të jetë i ashpër ose pa kompromis, kjo ishte sepse në mënyre të përligjur rasti bazohet në faktet e provuara”.

Tutje prokurori tha se gjatë muajve të kaluar lidhur me rastin kemi pasur mundësi të përballemi me një rast që përfshinte disa prej krimeve më të tmerrshme që përfshin dhunë të papërmbajtur dhe grafike për të cilën nuk ka justifikim.

Ndërsa krejt në fund duke ia dorëzuar rastin gjyqtarëve kërkoi që të merrnin vendim fajësues për të gjitha akuzat: vrasjet, trajtimet çnjerëzore dhe përbuzjeve të dinjitetit njerëzor si dhe plaçkitjet.

“I akuzuari nuk ka shprehur asnjë keqardhje por në vend të kësaj ka zgjedhur t’i kundërshtojë akuzat në mënyrë mospërfillëse. Duke i marrë parasysh rrethanat rënduese të veprave penale për të cilat Prokuroria e konsideron atë fajtor, ne kërkojmë që i akuzuari të dënohet me një dënim i cili i pasqyron krimet e kryera, duke pasur parasysh se asnjë akt i vetëm nga ana e viktimave nuk mund  të justifikojë në asnjë mënyre trajtimin çnjerëzor dhe mizor ndaj të cilit ata u nënshtruan. Për më tepër fakti që i akuzuari mori pjesë në marrjen e jetës së katër njerëzve në mënyre moskokëçarëse dhe më pas vazhdoi tutje për të kryer krime të mëtejshme menjëherë pa asnjë brengë të dukshme për krimet e kryera tashmë, në mënyre të qartë nxjerr në shesh personalitetin dhe qëndrimin e tij ndaj vlerave njerëzore. Prokuroria është në dijeni, nuk ka rrethana të tjera lehtësuese ose zbutëse për të justifikuar një dënim të zvogëluar“, tha prokurori Flynn.

http://kallxo.com/i-akuzuari-vukotiq-nuk-kam-degjuar-asnjehere-per-vrasjen-e-4-civileve-ne-vushtrri/

Edhe  mbrojtësi i viktimave Eron Prekazi duke shprehur falënderimet e tij lidhur me punën e trupit gjykues, prokurorit dhe përkthyesve gjatë shqyrtimeve gjyqësore lidhur me këtë rast tragjik gjithashtu në emër të palëve të dëmtuara kërkoi nga Gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënimin e merituar.

Lidhur me vrasjen e katër civilëve shqiptarë në Vushtrri, Prekazi tha se nga provat materiale si autopsitë e viktimave, dëshmitë e gjetura në vendin e ngjarjes  dhe prova të tjera në lidhje me rastin vërtetohet se me 05.05.1999 në rrugën “Emin Duraku“ tani rruga “Haxhi Zeka“ në Vushtrri janë vrarë katër civilë, janë rrahur, plaçkitur dhe dëbuar në mënyrë çnjerëzore shumë civilë të popullatës shqiptare duke shkelur të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare.

Tutje në fjalën e tij përfundimtare mbrojtësi i viktimave Eron Prekazi theksoi se të gjithë dëshmitarët në mënyrë të saktë e kanë përshkruar të akuzuarin si njërin nga kryerësit kryesor të këtij akti të tmerrshëm sepse shumë nga ata dëshmitarë e kishin njohur edhe më herët dhe se i akuzuari në bazë të karakteristikave trupore dhe sjelljeve të tij të ashpra e çnjerëzore lehtë binte në sy dhe se popullata civile gjatë luftës kishte vuajtur shumë nga veprimet kriminale të tij.

Kurse Bedri Fazliu duke folur në emër të  palëve të dëmtuara që ishin të pranishëm në sallën e gjykatës e mbështetën fjalën përfundimtare të prokurorit dhe mbrojtësit të viktimave.

Gjykimi lidhur me këtë rast ka përfunduar në tërësi njoftoi kryetari i trupit gjykues, Darius Sielicki.

Ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet nesër.