Prokurimi Online për Zvogëlim Korrupsioni

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), sot prezantoi fazën e parë e platformës së prokurimit elektronik “Go-Alive”.

Me anë të kësaj platforme pritet të mënjanohet forma e dorëzimit të dokumentacionit në letër, ndërsa do të bëhet administrim më i sigurt, efikas dhe transparent në lidhje me proceset e tenderimit.

Ky projekt pritet të reduktojë kohën e aplikimit, do të lehtësojë dhe standardizojë njohjen me kushtet e tenderit, garantojë fshehtësinë e ofertës duke eliminojë mundësinë e devijimeve korruptive.

I pranishëm në këtë ngjarje, Kryeministri Mustafa numëroi të mirat e platformës për prokurim elektronik.

“Përdorimi i kësaj platforme do të rrisë efiçiencën dhe efikasitetin e shpenzimit të parasë publike. Nga shfrytëzimi i këtij projekti do të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit. Ne si qeveri do t’i japim përkrahje të plotë këtij procesi që sa më shpejt të implementohet ky projekt në të gjitha institucionet publike,” tha Mustafa.

Ambasadori amerikan Greg Delawie që gjithashtu nuk mungoi në këtë aktivitet, por nuk iu drejtua të pranishmëve, projektin e prokurimit elektronik e përshëndeti nëpërmjet Twitterit, duke e cilësuar një hap të mirë në avancimin e përpjekjeve kundër korrupsionit.

Safet Hoxha, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) tha se prokurimi elektronik do ta përmirësojë klimën e të bërit biznes në Kosovë.

“Aplikimi i kësaj platforme do të ketë ndikim substancial në sistemin e prokurimit publik në Kosovë dhe do të ndikojë në performacën e autoriteteve kontraktuese, sepse do të eliminojë aspektin burokratik që shumë shpesh ka shkaktuar anulime dhe vonesa në implementimin e projekteve. Rritja e transparencës dhe konkurrencës efektive ka një ndikim direkt në shfrytëzim racional të parasë publike,” tha Hoxha.

Në fund për pjesëmarrësit është bërë demonstrimi se si do të mund të aplikohet kjo platformë online dhe u diskutuan detajet se çka përfshin ajo.

Platformë do të hyjë në funksion në pjesën e dytë të vitit, ndërsa fillimisht do të përfshijë të gjitha agjencitë dhe institucionet publike, për t’u shtrirë pastaj edhe në të gjitha komunat.