Projekti “Metamorphosis' ringjall ish-restaurant 'Marsi'-n

Edicioni i dytë i projektit “Metamorphosis” këtë vit solli në jetë ish-restaurant Marsi në lagjen Kodra e Trimave.

Ky projekt ka për qellim ringjalljen e objekteve të braktisura, që këto hapësira publike të shfrytëzohen nga komuniteti.

“I gjithë intervenimi artistik i cili u shpalos të martën është intervenim specifik për lokacionin, i konceptuar nga artistja Koja me titull “FLIRTING WITH LEFTOVERS”, u shpreh Sihana Klisurica nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë.

Gjithashtu, Klisurica tha se ky projekt bashkoi 20 të rinj e të reja të cilët kanë qenë pjesë e punëtorisë tre ditore. Ata kontribuan në procesin e hulumtimit të historisë së objektit.

Poashtu një grup prej tyre kanë prezantuar edhe ide se si ky objekt do të mund të funksionalizohej.

Ky edicion pritet të vazhdoj edhe vitin tjetër që të ringjall historinë e objekteve të harruara, por se cili objekt do të jetë projekti i ardhshëm ende nuk dihet.

“Metamorphosis është e konceptuar në atë formë që çdo vit të sjell edicion të ri, dhe në këtë formë të krijohet një intervenim artistik në një objekt të braktisur, gjithmonë me qëllim të mbledhjes së memories kolektive dhe rikthimit të vëmendjes kah objektet e braktisura”, theksoi Klisurica.

Ky projekt është mbështetur nga Komuna e Prishtinës si dhe nga Grass, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga IKS, Lens  dhe FES.