Ilustrim

Sfidat e shkollave në trajtimin e sjelljeve problematike tek nxënësit

Puna institucionale del të jetë e mangët sa i përket realizimit të obligimeve në procesin e ri-integrimit dhe risocializimit.

Shkollat në vend punojnë nën mungesën e kapaciteteve për luftimin e bullizmit dhe stigmatizimit e po ashtu në luftimin e sjellëve ekstremiste. Njëra nga shkollat në vend me ekip parandalues e tjetra në mungesë të programit e punëtorëve profesional, ka bërë që me dukuri mësuesit të merren edhe vullnetarisht.

Një gjë e tillë vërehet edhe nga mungesa e psikologëve në shkollat e Kosovës.

Drejtoria e shkollës, Andon Zako Çajupi në Mitrovicë thotë se shkolla ka pasur pak punëtorë profesional për këtë dukuri duke shtuar se luftimin e bullizmit dhe stigmatizimit, mësuesit e kanë bërë në mënyrë vullnetare.

“Në përgjithësi ka pasur pak punëtor profesional, por në bashkëpunim me OJQ-të kemi bërë përpjekje për integrim .Program nuk ka pasur, por mësuesit e kanë bërë në mënyrë vullnetare dhe e kanë demaskuar bullizmin duke e trajtuar si diçka të dëmshme për shoqërinë”, shkruan në përgjigjen e drejtorisë së kësaj shkolle.

Ndërsa shkolla fillore në Prishtinë, Emin Duraku thotë se për këto dukuri kanë pasur edhe psikolog të veçantë.

“Konkretisht mobilizimi ka qenë i jashtëzakonshëm i gjithë akterëve, sigurimi i mjeteve mësimore, transportit, ndihma përmes psikologut të veçant si dhe kujdesi që mos të bullizohen, ku gradualisht tani ajo klasë e kombinuar ndjek mësimin së bashku në një ndërrim me gjithë nxënëxit e tjerë”, thuhet në përgjigjen nga ky institucion.

Në anën tjetër komunat në vend e kanë për obligim që të ndërtojnë mekanizma për të identifikuar sjelljet e hershme radikale tek nxënësit.

Komunat që janë pjesë e këtij hulumtimi si Prishtina, Gjilani e Mitrovica, dallojnë në krijimin e këtyre mekanizmave. Sipas drejtorisë së Arsimit në Gjilan, kjo komunë  është e vetmja e cila nga viti 2016 ka formuar mekanizimin referues kundër radikalizmit dhe ekstremizmit. Për dallim nga komuna e Gjilanit, ajo e Prishtinës identifikimin e ekstremizmit të dhunshëm e ka bërë vetëm me anë të trajnimeve nga institucionet edukativo-arsimore.

Edhe sipas komunës së Mitrovicës, ky institucion ka ndërtuar mekaizma që janë përfshirë në këtë proces duke theksuar se janë e vetmja komunë me strategjinë për parandalimin e veprimeve të dhunshme.

Sipas komunave e shkollave, bashkëpunimi për menaxhimin dhe parandalimin e sjelljeve ekstremiste nuk ka munguar, duke shtuar se për këtë mbahen edhe trajnime të vazhdueshme dhe organizime të ndryshme.

Nga komuna e Gjilanit thonë se çdo vit në bashkëpunim më psikologët e shkollave bëjnë aktivitete  në lidhje me temat për ekstremizëm.

Një bashkëpunim i tillë nuk konsiderohet efektiv edhe nga njohës të arsimit. Argjend Osmani thotë se edhe pse bashkëpunimi mes komunave dhe shkollave nuk ka munguar, ai nuk shihet si i suksesshëm.

“Bashkëpunimi në mes shkollave dhe komunave në procesin e ri-integrimit dhe risocializimit të personave të prekur nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mendojë se nuk ka munguar. Mirëpo sa i përket krijimit të mekanizmave për sinjalizim të hershëm nëpër shkolla, mendojë se komunat dhe shkollat kanë çaluar në arritjen e synimeve të tyre”, ka thënë Osmani

Drejtoria e shkollës fillore, Emin Duraku në Prishtinë thotë se kanë ekip parandalues për këtë dukuri duke shtuar se ka nisur edhe ri-integrimi i nxënësve në klasë.

“Tani gjithsej kemi 7 nxënës të ri-integruar ne paralele të kombinuar, ku nga ky gjysmëvjetor kanë filluar orët e shkathtësisë (muzikë, art, ed fizike), me bashkëmoshatarët”, thuhet ne përgjigjen e kësaj shkolle.

Por nga drejtoria e Arsimit në Prishtinë thonë se në mënyrë që nxënësit të mos anashkalohen, zgjidhje u është bërë duke krijuar klasë të veçantë.

“Drejtoria e Arsimit në mënyrë që të gjithë nxënësit e rikthyer nga zona e luftës të përfshihen dhe të mos anashkalohen ka formuar një klasë të veçantë në njërën nga shkollat dhe ka angazhuar mësimdhënës përkatës për këta nxënës”, thuhet në përgjigje me shkrim.

Për të njëjtën nga Komuna e Mitrovicës thonë se janë duke i kryer të gjitha obligimet e nevojshme për personat e rikthyer nga zonat e luftës.

“Si institucione i kemi dhe jemi ka i kryejmë të gjitha obligimet ligjore në raport me trajtimin  e personave të rikthyer nga zonat e luftës. Në QPS, ka punëtorë që merren me këtë dukuri për trajtim dhe riintegrim te kësaj natyre”, kanë shtuar nga kjo komunë.

Ndërsa nga shkolla Andon Zako Çajupi në Mitrovicë thonë se nxënësit e rikthyer nga zonat e luftës janë sistemuar dhe socializuar, duke marrë kështu trajtim të veçantë.

Një gjë të tillë e thotë edhe drejtoria e Arsimit në Gjilan sipas të cilëve nxënësit e rikthyer nga zonat e luftës janë përfshirë në aktivitete të organizuara nga shkollat me qëllim të socializimit.

Edhe njohësi i Arsimit, Argjend Osmani thotë se shkollat kanë ofruar përkujdesen e duhur ndaj këtyre nxënësve.

“Numri i të rikthyrve nga zonat e luftës nuk ka qenë shumë i madh, por që shkollat përkatëse, në kuadër të mundësive që posedojnë kanë ofruar përkujdesje e duhur ndaj tyre“, ka shtuar Osmani.

Sa i përket bullizmit, kjo dukuri vazhdon të jetë e përhapur në shkolla. E për parandalimin e saj, shkollat shprehen se punojnë në atë drejtim.

Sipas shkollës fillore Emin Duraku në Prishtinës, ky institucion ka ekip parandalues për bullizmin.

“Shkolla ka një ekip parandalues për bullizëm , ku në çdo muaj organizohen aktivitete të ndryshme me tema të caktuara rreth bullizimit si ta trajtojmë dhe si ta parandalojmë”, ka thënë drejtoria e shkollës Emin Duraku.

Ndërsa shkolla Andon Zako Çajupi, për parandalimin e kësaj dukurie thotë se kanë krijuar mekanizma.

“Për parandalimin e bullizmit në shkollë merren masa disiplinore, thyerja e notës së sjelljes, bashkëpunim me prindër etj”, kanë shtuar nga kjo shkollë.

Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, thotë se bullizmi dhe stigmatizimi vazhdojnë të jenë të përhapura.

“Sa i përket bulizmit dhe stigmatizimit nëpër shkolla, mendojë se janë dukuri shumë negative dhe mjaft të përhapura, por që duhet vetëdijësuar nxënësit dhe personelin shkollor në mënyrë që ato të mënjanohen sa më shumë në të ardhmen”, ka theksuar Osmani.

Që nga viti 2014, Kosova ka miratuar Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit, si dhe Strategjinë kundër Terrorizmit.