Foto: Kallxo.com

Prizren: Haskuka planifikon buxhetin 50 milionësh bashkë me drejtorin e akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Komuna e Prizrenit ka organizuar 5 dëgjime publike për buxhetin 50 milionësh për vitin 2020.

Për 5 ditë me radhë dëgjimet publike janë mbajtur në Gjonaj, Zhur, Reçan, Korishë dhe me datë 23 Gusht është përmbyllur në Sallën e Kuvendit në Prizren.

Në të gjitha këto dëgjime publike Haskuka ka marrë pjesë bashkë me drejtorët e Komunës së Prizrenit.

Në këto takime mori pjesë edhe Drejtori i Ekonomisë dhe Financave Ertan Simitçi ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për vepra penale që ndërlidhen me Korrupsionin.

Aktakuza e prokurorisë është pranuar zyrtarisht në Gjykatën e Prizrenit dhe lënda pritet të caktohet tek gjyqtarët e Krimeve të Rënda për të filluar me procedurën pranë Gjykatës.

Më 1 gusht, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Drejtorit të Financave Ertan Simitçi për vepër penale të keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuzë ndaj drejtorit dhe u.d. drejtorit për Ekonomi dhe Financa në Prizren

Aktakuza ka të bëjë me periudhën kohore 2015-2016 kur Ertan Simitiçi edhe në atë qeverisje në udhëheqjen e Ramadan Mujës ushtronte detyrën e Drejtorit të Financave.

KALLXO.com mëson se Haskuka pritet së shpejti të dalë me një vendim lidhur me Drejtorin me aktakuzë, se a do të vazhdojë i njëjti ta ushtrojë detyrën e drejtorit apo to të shkarkohet nga detyra.

Ertan Simitçi vjen nga radhët e Partisë KDTP, e cila është në koalicion qeverisës bashkë me Vetëvendosjen, Nisma-n dhe LDK-në në Prizren.

Sipas biografisë së publikuar në ëebfaqen e Komunës së Prizrenit, Simitçi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin 2014 është emëruar për herë të parë drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit.

Nga data 16 janar 2018 ai është emëruar për herë të dytë në pozitën e Drejtorit.

Por drejtorit Ertan Simitçi Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë edhe ndaj dy ish drejtorëve të Ramadan Mujës.

Ish-kryesuesi i Asamblesë së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, që për një kohë ka ushtruar funksionin e këshilltarit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po akuzohet për lidhjen e kontratave pa ndonjë procedurë të tenderimit, për emetimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Aktakuzë për Rastin ‘Pronto’

Edhe Hasan Hasani që ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Shërbimeve Publike, po akuzohet për lidhjen e kontratave pa procedurë të tenderimit, e sipas prokurorisë dëmi i shkaktuar shkon deri në 7 Mijë Euro.

Aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Komunës së Prizrenit për kontratat me spote reklamuese