Ardita Sinani

Preshevë, publikimi i fotografisë së asamblistes në shtëpi të shëndetit nxit reagime për shkelje të privatësisë

Kritika që tha se ia kishte bërë shërbimeve shëndetësore në Preshevë, i ka kushtuar anëtares së Kuvendit Komunal të kësaj komune me publikimin e një fotografie në rrjetet sociale të cilën ajo e cilëson si cenim të privatësisë së saj.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës, Driton Salihu, ka postuar dje në rrjetin social “Facebook”, një foto ku shihet anëtarja e Kuvendit Komunal të Preshevës, Ardita Sinani, me vjehrrën e saj në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë.

“Edhe pse kurrë nuk e tha asnjë fjalë për këtë objekt madhështor të ndihmës së shpejtë edhe non stop fol për shëndetësinë kjo ish-kryetare, ajo nuk i shkoçet duke kërkuar ndihmë aty. Turp”, ka shkruar Salihu në Facebook, ku Sinani shihet me vjehrrën e saj në ambientet e Shtëpisë së Shëndetit.

Postimi në Facebook i Driton Hysenit, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë

Ndërsa Ardita Sinani, asambliste nga Partia për Veprim demokratik (PVD) në Preshevë, ka reaguar ndaj këtij publikimi, duke thënë se Salihu e ka postuar këtë fotografi, pasi ajo kishte kritikuar udhëheqjen e Shtëpisë së Shëndetit për mungesë të barnave dhe injeksioneve.

“Sot menjëherë pas përfundimit të seancës së Kuvendit Komunal, pas fjalës time në të cilën adresova kritika udhëheqjes së Shtëpisë së Shëndetit për mungesë të barërave dhe injeksioneve, drejtori i këtij institucioni në mënyrë të turpshme në faqen e tij të Facbook-ut publikoi një foto timen ku unë dhe vjehrra ime është ulur, shihemi në korridorin e ndihmës së shpejtë. Edhe më skandaloze është se kjo foto është marrë nga kamerat e sigurisë të instaluara në objektin e Shtëpisë së Shëndetit”, ka shkruar Sinani në Facebook.

Sinani ka thënë se publikimi i kësaj fotografie është shkelje e privatësisë së saj.

Reagimi i Ardita Sinanit, asambliste e PVD-së në Preshevë

“Publikimi i kësaj fotografie përveç se është shkelje flagrante e privatësisë, dëshmon edhe faktin se deri në çfarë mase arrin çmenduria e kësaj udhëheqje e ngjashme me stilin e funksionimit të shërbimeve famëkeqe shtetërore serbe. Për dallim nga ato shërbime ku kundërshtarët politikë përcilleshin vetëm gjatë aktiviteteve të tyre politike, këta të pushtetit tonë oponentët e tyre politik i përcjellin e përgjojnë edhe në institucionet ku qytetarët kërkojnë shërim. I gjithë ky matrapazllëk ndodhi vetëm për shkak të një kritike të argumentuar në një fjalim timin”, tha Sinani.

KALLXO.COM ka provuar të marrë një përgjigje nga ana e Driton Salihut, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ai nuk është përgjigjur në thirrjet e bëra dhe mesazhet e dërguara.

Ndërsa as në profilin e tij në Facebook më nuk figuron fotografia e publikuar më herët nga Salihu.