Premtim i Mbajtur i Kryetarit për Subvencionet në Bujqësi

Në debatin e realizuar në Emisionin “Jeta në Komunë”, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti, pasi që u kritikua se nuk i ka bërë publikë emrat e personave që kanë përfituar subvencione të bujqësisë nga Komuna, premtoi se këto lista do të dalin në vebfaqen e komunës.

Feti Krasniqi, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim  Rural pas xhirimit të debatit me kryetarin Ahmeti të mërkurën e 16 dhjetorit, i dha gazetarit të KALLXO.com listat e printuara të përfituesve të këtyre subvencioneve.

Po atë ditë edhe kryetari Imri Ahmeti tha se këto lista do të publikohen edhe në vebfaqe të komunës.

Listat e përfituesve bujqësorë nga 18 dhjetori gjenden në faqen zyrtare komunale të internetit. 

OJQ-ja “YAHIR” që monitoron mënyrën e funksionimit të Komunës së Lipjanit në raportin e saj e kishte kritikuar ashpër qeverisjen komunale duke thënë mes tjerash se në Lipjan kemi mospublikim të vendimeve për ndarje të subvencioneve nga zyra e kryetarit dhe nga mospublikimi i këtyre vendimeve lindin dyshime për keqpërdorim të parasë publike.

“YAHIR” në raport gjithashtu e kishte akuzuar Komunën e Lipjanit dhe kryetarin e saj se vazhdon t’i mbajë të mbyllura dyert për organizatat e shoqërisë civile në mbledhjet e Bordit të Drejtorëve, se ka ndërprerje të dërgimit të materialeve të Kuvendit Komunal për shoqërinë civile dhe po ashtu moslejim në qasjen në dokumentet publike për organizatën e vetëm monitoruese “YAHIR”.

Debati “Jeta në Komunë” me kryetarin Imri Ahmeti dhe asamblistë të Lipjanit u shfaq të dielën.