Gjykata Themelore e Pejës - Foto: KALLXO.com

Pranojnë fajësinë për grabitjen e kryer në vitin 2010

Agron Saraqi e Hysni Pajaziti, pranuan fajësinë për veprën penale të grabitjes të cilën e kishin kryer në vitin 2010.

Rasti ndaj tyre ishte kthyer në rigjykim, kjo pasi gjykata e shkallës së dytë nuk kishte gjetur se ekzistonin elementet e bashkëkryerjes së veprës penale.

6 vite nga koha kur rasti u kthye në rigjykim, u mbajt shqyrtimi kryesor gjatë të cilit të pandehurit e pranuan fajësinë.

Në fjalën e tij përfundimtare prokuroi i shtetit tha se mbetet pranë aktakuzës dhe fjalës përfundimtare të dhënë në vitin 2011.

“ Mbetem pranë akuzës dhe panë fjalës sime përfundimtare të dhënë në vitin 2011, dhe kërkoj që të njëjtit të dënohen sipas ligjit”, tha prokurori Haxhi Sinanaj.

Mbrojtësit e të akuzuarve Agron Saraqi dhe Hysni Pajazitaj, avokatët Shaban Shala dhe Gani Kelmendi kërkuan dënime me të lehta për të akuzuarit e tyre.

Agron Saraqi dhe Hysni Pajaziti akuzohen nga Prokuroria Themelore në Pejë, për shkak se me qëllim që t`i sjellin vetit përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme dhe duke përdorur dhunën, sulmojnë jetën apo trupin e të dëmtuarit Kreshnik Nila dhe grabisin veturën e tipit Golf 5 si dhe 4 telefona mobil.