Policit të vdekur nga COVID-19 i mohohet pensioni prej 80% të pagës, familja pretendon se vdiq në detyrë

Polici nga Gjakova,  Ilir Gjokaj,  dy javë më pare vdiq pasi ishte infektuar me COVID-19.

Përfaqësuesi i familjes së tij, avokati Meshari Selimaj, ka paraqitur ankesë në Policinë e Kosovës pranë Komisionit për Ankesa dhe Shpërblime.

Kjo ankesë është paraqitur kundër vendimit të Policisë së Kosovës, të cilët vdekjen e zyrtarit policor, e kanë kategorizuar si “Vdekje në Detyrë”.

Sipas Ligjit për Policinë e Kosovës, ky kategorizim i zyrtarit policor”Vdekje në Detyrë” nënkupton se bashkëshortja e tani të ndjerit dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare, kanë të drejtën në pension familjar deri në vlerën 60% të pagës bruto.

Mirëpo, familjarët të ndjerit, kanë kërkuar që sipas Ligjit për Policinë e Kosovës i ndjeri të kategorizohet si “I vdekur në kryerje të detyrës, që nënkupton se ata kanë të drejtën në pension familjar deri në vlerën 80% të pagës bruto.

KALLXO.com ka siguruar Vendimin dhe Ankesën e këtij vendimi, ku thuhet se e njëjta është e pabazuar dhe kundërthënës me gjendjen faktike.

Përmes kësaj ankese, po kërkohet që Komisoni për Ankesa dhe Shpërblime i Policisë së Kosovës në Prishtinë, ta ndryshoj vendimin e Komisionit për Përcaktimin e Kategorisë së Vdekjes së zyrtarit policor në detyrë apo në kryerjen të detyrës, duke i njohur të drejtën në pension familjar bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij të mitur, pra familjes së ngushtë të të ndjerit, i vdekur në kryerjen e detyrës zyrtare.

Për vdekjen e policit Ilir Gjokaj, pas dyshimit të familjarëve Prokuroria ka hapur një hetim penal për të zbardhur dyshimet se ai nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor.

KALLXO.com kishte mësuar se hetimet janë hapur dhe se dyshimet janë në një bocë të oksigjenit, e cila nuk kishte funksionuar gjatë transportit të policit.

Ai fillimisht ishte shtrirë në Spitalin e Gjakovës, mirëpo pas përkeqësimit të gjendjes së tij ishte transferuar në Klinikën Infektive në QKUK, ku edhe kishte vdekur.

Policia e kishte konfirmuar edhe hapjen e hetimeve për “trajtim të papërgjegjshëm mjekësor”.

Këtë rast po e hetojnë Sektori i Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me Prokurorinë.

Polici i Njësisë Speciale në Gjakovë i cili vdiq nga COVID-19 ishte vetëm 39 vjeç