Nga shpërthimi i mëhershëm në oborrin e RTK-së | Foto: KALLXO.com

Policia Kërkon Ndihmën e Qytetarëve për Sulmin në RTK

Sipas policisë, mbrëmë rreth orës 21:48 te objekti i RTK-së është raportuar për një shpërthim që dyshohet se është kryer nga mjeti shpërthyes granatë dore.

“Fillimisht është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe më pastaj janë kryer procedurat e mëtutjeshme policore, duke përfshirë kontrollimin e hapësirës, mbledhjen e dëshmive dhe provave materiale, në bazë të të cilave dyshohet se në pjesën e prapme, anash objektit të RTK-së ka shpërthyer mjeti i dyshuar granatë dore,” thuhet në komunikatën e policisë.

Policia rastin e ka cilësuar shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

“Policia e Kosovës në konsultim me prokurorin kompetent i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, duke kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes i cili ka zgjatur deri në orën 08:50 të ditës së sotme (23.08.2016), dhe rasti është iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,” shpjegon komunikata.

Në bazë të informacioneve të deritanishme të policisë nuk raportohet për ndonjë person të lënduar.

“ Policia është duke punuar në analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante, duke përfshirë kamerat e sigurisë, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësit/ve të këtij rasti,” sqarohet më tutje në komunikatë.

Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për këtë shpërthim.

“Policia e Kosovës fton të gjithë personat apo qytetarët të cilët posedojnë ndonjë informacion lidhur me rastin të njoftojnë Policinë e Kosovës,” thuhet në fund të komunikatës.

KALLXO.com shkroi për sulmin e orëve të vona të mbrëmjes së të hënës, ndërsa sot kundër këtij sulmi kanë reaguar dy sindikatat e punëtorëve të RTK-së, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por nuk kanë munguar as reagimet e politikanëve.

http://kallxo.com/shperthim-ne-rtk-shume-police-atje/

http://kallxo.com/agk-sulm-per-te-frikesuar-gazetaret/