Polemika mes VV-së dhe LDK-së për Elez Blakajn

Deklarata e djeshme e kryetarit të VV-së, Albin Kurtit në lidhjen me kthimin e Elez Blakajt në Kosovë, ka ngjallur reagime mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.

Kjo pasi që, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani sot gjatë një forumi tha së ‘në Qeverinë e LDK-së, kryeministri nuk do zgjedhë kryeprokurorë, por prokurorët do ta bëjnë”.

Ndërkaq, pas kësaj, ish-deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, reagoi duke cituar deklaratën e Albin Kurtit, pasi që sipas saj, ai nuk ka pretenduar që Blakajn ta bëjnë kryeprokuror.

Haxhiu iu drejtua Osmanit në këtë postim, duke thënë së nuk fitohet respekti duke “keqcituar”.

“Ne Elez Blakajn e kthejmë menjëherë në Kosovë. Edhe s’ka me pasë as politikanë edhe as jo-politikanë, as mujsharë shpërdorues, as kriminelë e të korruptuar që do të guxojë ta përndjekë e ta kërcënojë, as publikisht e as privatisht. Elez Blakajn si simbol do ta kthejmë në Republikën e Kosovës, dhe, do ta bëjmë kryeprokurorin e shtetit e prokurorët që e luftojnë krimin e korrupsionin”, citon Haxhiu, Kurtin.

“Pra janë dy pohime të kryetarit Kurti: 1) Elez Blakajn do ta kthejmë si simbol; 2) Do ta bëjmë kryeprokurorin e shtetin dhe prokurorët që e luftojnë krimin e korrupsionin”, thuhet në njoftimin e saj në ‘Facebook’.

Dje (15 shtator) në media është raportuar se gjatë një takimi me qytetarë të Podujevës, lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se ‘prokurorin Blakaj do ta kthejmë në Kosovë dhe do ta bëjmë Kryeprokuror të Shtetit’.