Hapësira e rezidencës ku po mbahen takimet mes Kurtit e Vuçiq në Ohër, Foto:KALLXO.com

Po vazhdon sigurimi i Ohrit nga policia maqedonase, situata gjithë ditën është raportuar e qetë

Në Maqedoni më saktësisht në Ohër janë duke vazhduar zhvillimet e takimi trilateral mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Për këto takime të cilat fillimisht u mbajtën ndaras e më pas u kthyen të gjithë së bashku në tavolinë, në Maqedoni, Policia ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat për të bërë sigurinë e Ohrit si dhe rezidencës ku po mbahen takimet.

Liza Bendevska, zëdhënësja e Policisë së Maqedonisë, ka thënë për KALLXO.com se aktivitetet e ndërmarra kanë qenë për të siguruar zonën ku po mbahen takimet.

“Aktivitetet kanë për qëllim sigurimin fizik dhe të trafikut të rrugëve dhe objekteve të tjera në Ohër, por masa sigurie në komunikacion janë marrë edhe në rrugët tjera kryesore, rajonale dhe lokale, si dhe brezit mbrojtës të rrugëve, së bashku me rrugët në zonat e banuara dhe parkingjet”- tha Bendevska për KALLXO.com.

Tutje ajo shtoi se deri më tani aktivitetet janë realizuar në bazë të planit dhe situata ka qenë e qetë.

“Aktivitetet dhe masat e sigurisë lidhur me ngjarjen e paralajmëruar realizohen sipas planit, në Ohër është krijuar Shtabi i Sigurisë që monitoron situatën në terren dhe deri më tani gjendja është e qetë, nuk janë regjistruar shkelje të rendit dhe qetësisë publike”, thuhet tutje në njoftimin e Bendevskas për KALLXO.com.