Pjetër Shala, Foto: Gjykata Speciale

Pjetër Shala: Akuzat ndaj meje janë shpifje e trillime, jam i pafajshëm

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala ka thënë se është i pafajshëm, para trupit gjykues në Hagë, për pikat me të cilat akuzohet.

Ai e ka quajtur trillim aktakuzën e lexuar nga Prokuroria. “Po e kuptova, këto janë shpifje e trillime. Jam i pafajshëm”- tha ai.

Shala i njohur me nofkën “Komandant Ujku” po gjykohet për krime lufte. Ai akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje në Kukës,  në një fabrikë metali për të cilën aktakuza pretendon se u përdor nga UÇK-ja si qendër paraburgimi.

Transmetimi i drejtpërdrejtë nga gjykimi në Speciale i Pjetër Shalës:

Të martën në Dhomat e Specializuara në Hagë, në gjykimin e Pjetër Shalës deklaratën hyrëse e ka filluar Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sipas Prokurorisë, Pjetër Shala akuzohet me katër akuza me krime lufte si ndalim arbitrar,trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme të kryera në fabrikën e metalit në Kukës.

Në zbatim të ligjit, prokurori i çështjes ka theksuar se Shala akuzohet për tri forma të përgjegjësisë penale si: Anëtarë i ndërmarrjes së përbashkët, si kryes fizik dhe ngarkohet si ndihmues dhe inkurajues për krimet e paraqitura si në aktakuzë.

Në deklaratën hyrëse, prokurori Alex Whiting u shpreh se në të gjitha çështjet gjyqësore shumica e viktimave janë shqiptarë.

“Në të gjitha çështjet gjyqësore shumica e viktimave janë shqiptarë të Kosovës, në të gjitha rastet janë shqiptarë të Kosovës”-tha prokurori.

Whiting më tej ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin, personat që kanë kryer krime duhet të nxirren para drejtësisë.

“Ata janë përgjegjës para ligjit pavarësisht kauzës që luftojnë”-ka thënë prokurori.

Në deklaratën hyrëse, Prokuroria ka konsideruar se nga dëshmitë do të tregohet se Shala ishte pjesë e një grupi që ka kryer krime.

Sipas Prokurorisë grupi përfshinte Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqi të dy të shpallur fajtor për këto krime.

Prokuroria më tej ka deklaruar se janë keqtrajtuar 18 viktima në qendrën e ndalimit të ish-fabrikës së metalit në Kukës.

“Akuza pretendon se grupi kriminal ka ndaluar dhe keqtrajtuar 18 viktima në qendrën e ndalimit të ish-fabrikës së metalit në Kukës. Ky grup kriminal ka vrarë njërin prej këtyre viktimave. Viktimat janë shënjestruar për shkak të afërsisë që kishin me serbët, janë trajtuar si bashkëpunëtorë si spiunë…janë ndaluar pa asnjë proces të ligjshëm dhe në kohën që janë mbajtur të ndaluar u janë nënshtruar abuzimit të torturës dhe në një rast të vrasjes”- ka thënë prokurori Whiting.