Përkujtohen 23 të vrarët në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë

Me 15 prill të vitit 1999 në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, u vranë 23 persona, pikërisht në vendin ku sot është e vendosur “Shtëpia Muze”.

Pasi forcat serbe kishin grumbulluar tetëdhjetë persona në shtëpinë e Mustafë Sahitit, kishin nisur torturimin e tyre, duke vrarë 23 shqiptarë.

Sot janë bërë 22 vjet që nga vrasja e civilëve shqiptarë nga forcat serbe, ndërsa familjarët kanë vendosur kurora lulesh në “Shtëpinë Muze”.

Në Lagjen e Boshnjakëve në pjesën veriore të Mitrovicës në prill të vitit 2019 ishte bërë vënia e gurthemelit të Shtëpisë- Muze, në përvjetorin e vrasjes së 23 civilëve shqiptarë nga forcat serbe.

Përfaqësuesi i familjeve të personave të pagjetur, Bajram Çerkini ka shprehur shqetësimin e madh, për moszbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Këtu jemi sot para disa prindërve të cilët i kanë parë me sy të gjitha krimet të cilat janë bërë në këtë vend, pra përkujtojmë se çka ka ndodhur dhe çka na ka bërë regjimi i kasapit të Ballkanit”, tha Qerkini.

Ndërsa Fevzi Beqiri ideatori i Shtëpisë Muze, ka kërkuar reflektim nga institucionet e Kosovës dhe Qeveria që të angazhohet më shumë për veriun, duke kërkuar nga organet përgjegjëse t’i përmbushin premtimet, në mënyrë që ”Shtëpia Muze” të rinovohet që në përvjetorin e ardhshëm të jetë e kompletuar.

“Sot 22 vjet u bënë që kriminelet e Serbisë me planifikim kanë dashur të bëjnë pastrimin etnik në krejt territorin e Republikës se Kosovës, në mesin e tyre edhe në lagjen tonë kanë ardhë falangat serbe, së bashku me paramilitarë me maska e pa maska, i kanë tubuar në shtëpinë e Mustafë Sahitit, tashmë ‘Shtëpi Muze’ e gjenocidit serbë, i kanë plaçkitur dhe pastaj pushkatuar”, tha Beqiri.

Jahir Bejta drejtor i Shoqatës Profesionale për Dëme të Luftës në Kosovës, ka kërkuar nga qytetarët që të paraqesin përmes padive ngjarjet e tyre të luftës që të ruhen të shkruara.

“Gjërat do të harrohen nëse nuk i shkruajmë në letër, andaj ju kisha preferuar dhe lutur që t’i hartojmë paditë kundër xhelatit edhe pse ato po refuzohen..”, tha Bejta.

Gjithashtu ai ka kërkuar që të hapet Shoqata për Dëme të Luftës edhe në komunën e Mitrovicës në mënyrë që të mbushen dosjet për rastet e të pagjeturve.