Pamje brenda klinikave të QKUK-së, aty ku po trajtohen qindra pacientë me COVID-19

Brenda një dhome, të izoluar, me aparate trajtimi, disa nga ta në gjendje të mirë shëndetësore e që po presin rezultatet e testimit, disa të tjerë me aparata të oksigjenit e kalojnë ditën pacientët e infektuar me coronavirus brenda Klinikën Infektive.

Kjo klinikë sot po trajton 111 pacientë me COVID-19, 60 nga ta me oksigjenoterapi.

Një i moshuar i cili tash e një muaj gjendet në Klinikën Infektive duke u trajtuar pasi është i infektuar me COVID-19, tregon simptomat e para dhe trajtimin e tij në këtë klinikë.

“Sëmurë kam qenë. Jam me coronavirus. Mirë e kam gjendjen. Tash për momentin jam mirë nuk jam duke marrë oksigjen. Edhe trajtimi mirë. Kam pasur kollë, tjera sende nuk kam pasur shumë përveç kollës. Para 20 ditë qashtu kam qenë e tani jo. E tash jam ma mirë jo qysh kam qenë përpara”, shpjegon i moshuari i cili ani pse ka marrë rezultatin negativ pas një muaji, ende po qëndron i shtrirë për të vëzhguar gjendjen e tij.

Për të i qëndruar afër të moshuarit, përkujdesej bashkëshortja e tij e cila me maskë e doreza, i ndihmonte që të kryente nevojat personale për shkak të gjendjes jo të mirë e moshës së shtyrë të bashkëshortit.

Në një dhomë brenda së cilës mund të shihje pajisje të shumta dhe të dëgjosh zhurmat e tyre, dy të moshuarit i qëndronin pranë njëri tjetrit dhe e ndihmonin ta kalonin ditën.

Të dy bashkëshortët prisnin edhe rezultatet e fundit e më pas do të liroheshin në shtëpi.

Klinika Infektive ditëve të fundit ka qenë vazhdimisht e mbushur me pacientë të cilët kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore të cilët ua ka shkaktuar infektimi me coronavirus.

Përveç Klinikës Infektive, pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar në spitalet rajonale nëpër komuna, Klinikën e Pulmologjisë, atë të Neurologjisë si dhe në Qendrën Sportive Mjekësore.

Në këtë të fundit po trajtohen pacientët të cilët kanë gjendje të rënduar.

Në Kosovë, sipas statistikave janë regjistruar gjithsej 4 mijë e 715 raste me COVID-19. Nga kjo shifër në total, 2 mijë e 227 janë shëruar, 101 kanë vdekur ndërsa pjesa tjetër janë duke u trajtuar.