Pal Lekaj. Foto: Kallxo.com

Pal Lekaj e zëvëndëson ushtruesin e detyrës së Sekretarit me një UD tjetër

Pas gati dy vitesh në këtë post, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka zëvendësuar ushtruesin e detyrës (UD) të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Ministrie me një tjetër ushtrues detyre.

Edhe pse një UD sipas ligjit mund të jetë në këtë pozitë vetëm tre muaj, kjo Ministri vetëm ka ndërruar emrin e sekretarit, por jo edhe statusin e tij.

Madje MI nuk ka bërë asnjëherë deri sot kërkesë në MAP për të hapur konkurs për pozitën e Serkretarit të Përgjithshëm.

Në vend të Nebih Shatrit, ministri Lekaj e ka emëruar në pozitën e Sekretarit si ushtrues detyre, Betim Reçicën.

Edhe pse sipas Ligjit për Shërbimin Civil, një ushtrues detyre mund të jetë në atë pozitë vetëm 3 muaj, ish Sekretari tashmë i zëvendësuar, Nebih Shatri, ka qëndruar UD  për afër 2 vite, që nga shkurti i vitit 2017.

Ndërsa Ministria e Infrastrukturës nuk kishte kërkuar asnjëherë nga Ministria e Administratës Publike që të hapte konkurs për të zgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm.

“Ligji i Shërbimit Civil e përcakton qartë se periudha e ushtrimit të detyrës zgjat 3 muaj. Ndërkaq, nga MI-ja, për pozitën e përmendur në MAP, deri tash nuk ka dërguar ndonjë kërkesë për inicimin e procedurës”, thuhet në përgjigjen e MAP për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Argjend Zejnajn, shef i kabinetit të ministrit Lekaj, për të pyetur se pse MI ka emëruar prapë një ushtrues detyre dhe nuk ka shpallur konkurs, por ai ka thënë se nuk di shumë për procedurën, porse Reçica është emëruar si sekretar “për mos ta lënë pozitën vakante”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në zyrën për informim në këtë Ministri ku ka pyetur se pse nuk ka shpallur deri sot MI konkurs për të rekrutuar sekretarin e përgjithshëm dhe se kur do të shpallet ky konkurs, por nuk ka marr përgjigje.

Betim Reçica para se të emërohej ushtruesit detyr e Sekretarit të Përgjithshëm të MI-së ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të NJZP-së për projektin e ndërtimit të autostradës Kijevë-Zahaq.

Edhe pse është emëruar UD, në vendimi e nënshkruar nga Pal Lekaj thuhet se atij do t’i ruhet vendi i punës deri në përfundimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm.

Reçica ishte zyrtar i Prokurimit në kohën kur kjo Ministri udhëhiqej nga Fatmir Limaj.

Madje, Reçica ishte dëshmitar në rastin MTPT, ku ishte i përfshirë edhe Fatmir Limaj.

https://kallxo.com/pal-lekaj-e-nderron-sekretarin-e-pergjithshem-dokument/?fbclid=IwAR0EqjvXuvvfdGc5_eoSmptsVuWlBt0pYxk8gRR_QK8G6gQhHOS5wcoNYFg

www.kallxo.com