Foto: PDK

Pajtim në PDK, Grabovci e Lushtaku në mbledhjen e Këshillit Drejtues

Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duket se i ka pajtuar zyrtarët e PDK-së me aktakuza dhe kryetarin e kësaj partie, Kadri Veselin, i cili muajin e kaluar shpalli se zyrtarët që janë të akuzuar për vepra që lidhen me korrupsion nuk do të jenë më pjesë e strukturave të kësaj partie.

Vendimi i kreut të PDK-së parashikonte se asnjë person me aktakuza për korrupsion nuk do të mbajë pozita në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në institucionet që udhëhiqen prej saj.

E ky vendimi kishte goditur disa zyrtarë të partisë, përfshirë kryetarë degësh e ministra.

Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, pastaj Adem Grabovci, ministri Besim Beqaj, etj.

Ndonëse vendimi i kryetarit të partisë është ‘dëgjuar’ nga disa zyrtarë, Veselit i ka hasur sharra në gozhdë te kryetari i degës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ky i fundit nuk është larguar nga posti partiak, pavarësisht se ndaj tij ka aktakuzë.

Dhe, pavarësisht këtyre ‘shkarkimeve’ dhe mosbindjeve, zyrtarë të PDK-së me aktakuzë janë bërë bashkë sot me kreun e partisë në mbledhjen konstituive të Këshillit Drejtues.

Në rreshtin e parë të pjesëmarrësve ndër të tjerë ishin edhe Adem Grabovci e Sami Lushtaku.

Në këtë mbledhje, Kadri Veseli ka thënë se PDK është e gatshme për zgjedhje të parakohshme dhe për t’i fituar ato.