Osmani: Kur trupat e NATO-s shkelen në Kosovë, s'ishin vetëm ushtarë, por ishin shpëtimtarë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, më 12.06.2024, ka uruar të gjithë qytetarët për 25- vjetorin e çlirimit të vendit, duke thënë se më 12 qershor 1999 kur trupat e NATO-s shkelen në tokën e Kosovës, nuk ishin vetëm ushtarë, por ishin edhe shpëtimtarë.
“Ata [ushtarët e NATO-s] sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk e kishte harruar popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë, e liria është më shumë se sa fjalë, është thelbi i qenies sonë, është ëndrra që guxuam të ëndërrojmë e për të cilin luftuan dhe e dhanë jetën luftëtarët tanë”, tha Osmani.
“Kur paqeruajtësit shkelen në tokën e Kosovës së përgjakur, të dërrmuar, të shkatërruar, atëherë lotët, britmat dhe lulet, u shndërruan në përqafime që i pritën ushtarët e NATO-s, ato krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë”, u shpreh presidentja Osmani.
Ajo tha se në këtë ditë “do ta kujtojmë rezistencën këmbëngulëse të presidentit Ibrahim Rugova për liri, pavarësi e demokraci si dhe aleancat e fuqishme që ai i ndërtoi”.
“Do ta kujtojmë çdo ditë të jetës sonë, por edhe për brezat që do vijnë pas nesh, heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari të cilët u shndërruan në gurthemelin e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Do të jetojmë përherë me kujtimin e gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi 13 mijë të vrarë gjatë luftës, në mesin e cilëve 1133 fëmijë të vrarë vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nuk do ta harrojmë asnjëherë edhe një prej krimeve më të tmerrëshme at të dhunimit”, tha presidentja Osmani.
Duke nderuar ushtarët e NATO-s që kontribuuan për lirinë e vendit, e para e shtetit, tha se duhet nderuar mbi të gjitha edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe stoicizmin e popullit të Kosovës.
“Me bindjen e plotë se liria nuk është dhuratë, por për të është paguar një çmim i lartë e liria edhe sot është përgjegjësi është një trashëgimi që duhet ta mbrojmë dhe një premtim që duhet ta përmbushim për këtë gjeneratë dhe për secilën gjeneratë që do të vijë pas nesh”, deklaroi presidentja e Kosovës.
25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.
Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.