Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: FSK u shndërrua në ndërtuese dhe garantuese e paqes globale

Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë ushtarët dhe qytetarët për ditën e Forcës.

“Sot në këtë ditë të veçantë tuajën dhe më të rëndësishmen për Forcën tonë, Forcën e Republikës së Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që tua uroj të gjithëve ditën tuaj”.

Osmani në shënimin e Ditës së Forcës deklaroi se FSK-ja është shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktorë të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale.

“Jam po kaq e lumtur që nga nëntori i vitit të kaluar kur ne e shënuam bashkë ditën tuaj forcat tona kanë shënuar një zhvillim të hovshëm duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktorë të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale si partner i besueshëm e i rëndësishëm i ushtrisë më të rëndësishme në botë asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë brenda aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, atë të NATO-s”.

Tutje Osmani listoi disa nga të arriturat historike të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke thënë se po shkon kah rruga e drejt e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

“Muaj më parë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës për herë të parë në historinë e forcave tona zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt në kuadër të kontingjentit të Gardës së IOWA-s të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Ky ishte hapi i parë por tepër i rëndësishëm për të parë të realizuar ëndrrën tonë e tuajën për të qenë ndërtues dhe garantues të paqes globale si dhe për të shërbyer përkrah aleatëve tanë historik në sigurimin e sigurisë globale”.

“Pjesë e fuqizimit të FKS-së ishte edhe furnizimi me pajisje dhe automjete ushtarake përfshirë 55 automjete të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara. FSK-ja ka kuptuar drejtë ndjenjën e popullit të Kosovës për tu bërë pjesë e aleancës sonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke ndihmuar në krizën e refugjatëve afganë – transportimi e përcjellja e shumë refugjatëve afganë nga Aeroporti i Prishtinës për në kampet në Ferizaj është edhe shenjë e zbatimit të vendimeve të institucioneve me dinjitetet por edhe kultivimit të ndjenjës së përkrahjes për të zhvendosurit” deklaroi Osmani./Rtklive