Opsionet kushtetuese të Hashim Thaçit pas rënies së Qeverisë

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Kushtetua e Republikës së Kosovës thotë se me dorëheqjen e kryeministrit bie me automatizëm qeveria.

Neni 95, pika 5 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës flet hapat që duhet të ndiqen pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës.

“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thotë Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kompetencë edhe të shpall zgjedhjet e reja për Kuvendin e Kosovës.

“Shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij”, thuhet në pikën 3 të nenit 84.

Por, kryeministri në dorëheqje Haradinaj ka thënë se mandati duhet t’i kthehet popullit dhe se ai serish do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

“Presidenti i ka kompetencat e veta. Unë i kam propozuar dhe kërkuar presidentit dhe vendit që të shkojë në zgjedhje menjëherë. Mandati është më i sigurt te populli në këtë rast. Populli le të vendos pastaj qytetarët se si të veprohet. Do të garoj do të ofrohem, me ato programe qeverisëse. Do ta respektoj verdiktin e popullit”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka njoftuar për dorëheqjen e tij pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, duke bërë të ditur se është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Liderët momental në kombinime janë krerët e partive politike.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.