Opozitarët Tregojnë Pse Bojkotuan Fjalimin e Presidentes

Time Kadriaj e Rexhep Selimi thonë se nuk kishin pse të ishin në seancën ku mbajti fjalim vjetor Presidentja.

Deputetja e AAK-së Time Kadriaj tha se opozitarët nuk donin t’i dëgjonin dështimet institucionale.

“Çfarë roli kushtetues ka lujt Presidentja për unifikimin e faktorit politik në Kosovë që ne me qenë pjesë dhe me dëgju. Edhe s’kemi qenë të interesum me i dëgju dështimet e kësaj qeverie dhe të Presidentes,” tha Kadriaj.

Deputeti i “Vetëvendosjes” Rexhep Selimi përmendi arsye tjera pse opozita mungoi me qëllim kur Presidentja iu drejtua Kuvendit.

“Presidentja për fat të keq ka marrë anë dhe kjo ka qenë një shenjë pakënaqësie nga qëndrimet e Presidentes. Presidentja ka mundur t’i bëjë pozitën dhe opozitën bashkë nëse eventualisht do të kërkonte që marrëveshjet të rikthehen e pastaj të bisedohet. Nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe kjo ka qenë përgjigjja ndaj Presidentes,” tha Selimi.

Por Kadriaj e Selimi dhanë mendime të ndryshme rreth asaj se çfarë do të bënte opozita në seancën e sotme të Kuvendit që ishte e fundit për këtë vit.

“Ne kemi dashtë me debatu. Është e drejtë e jonja si deputetë me qenë në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe me debatu,” tha Time Kadriaj.

Rexhep Selimi tha se po t’u jipej mundësia, njësoj do ta pengonin zhvillimin e vazhdimit të seancës së mbajtur në sallën alternative, pas fjalimit të Jahjagës.

“Kuptojeni, është i njëjti diskurs, e njëjta qasje. Ne këtu në Kuvend deri më tani jemi dhe do të vazhdojmë ta pengojmë agjendën e qeverisë qoftë në katin e parë, qoftë në katin e katërt, qoftë në tavan, qoftë këtu në holl,” tha Selimi.