Opozita në Malishevë: Për Liritë e Serbëve e Kundër Asociacionit

Liderët e partive opozitare në Malishevë folën kundër marrëveshjeve dhe për lirimin e deputetëve të burgosur.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj në manifestimin e sotëm të opozitës në Malishevë ka thënë se populli i Kosovës përkrah lirinë e të gjithëve, por jo kthimin e sundimit serb në Kosovë.

“Populli i Kosovës lirinë e don për të gjithë, e don për shqiptarët, e don për pakicat, e don edhe për serbët e Kosovës, por jo për Serbinë të kthehet në Kosovë,“ tha Haradinaj.

Përveç Haradinajt, të pranishmëve në Sheshin “Adem Jashari” të Malishevës iu drejtuan edhe krerët e “Vetëvendosjes” dhe Nismës, Visar Ymeri e Fatmir Limaj dhe kryetari i kësaj komune Ragip Begaj.

Kryetari i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri përmendi arrestimin e deputetëve të opozitës për të cilët vlerësoi se u arrestuan vetëm se kundërshtuan marrëveshjet e Asociacionit të komunave serbe dhe demarkacionit në kufi me Malin e Zi.

“Këta trembëdhjetë deputetë të republikës janë arrestuar për të vetmen arsye sepse janë deputetë që i kanë thënë si pjesë e opozitës së bashkuar Isës e Hashimit dhe të tjerëve si ata se këto marrëveshje nuk kalojnë pavarësisht vullnetit tuaj që të arrestoni qytetarë të republikës,” tha Ymeri.

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë se pushtetarët po detyrojnë policinë që të përdorë dhunë ndaj opozitës e cila po e mbron shtetin.

“Jetojmë në një vend ku djemtë tanë policë pushtetarët i detyrojnë të përdorin dhunë kundër përfaqësuesve të popullit që janë në mbrojtje të shtetit të tyre. Sot, forcat tona të cilat me mund i kemi krijuar edhe i kemi krijuar për ta mbrojtur shtetin tonë, dy njerëz këto forca po i përdorin për ta mbrojtur Serbinë në Kosovë,” tha Limaj.

Pas fjalimeve, manifestimi përfundoi me thirrjen për pjesëmarrje ne tubimin opozitar në Prishtinë më 9 janar.