
Nuk Dihet sa Autoritete Kanë Dorëzuar Raportin për Kontratat
Më 21 dhjetor të vitit të kaluar Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) në faqen zyrtare të tij kishte kërkuar nga të gjitha autoritete kontraktuese (AK) që të dërgojnë Raportin Vjetor për Nënshkrimin e Kontratave Publike për vitin fiskal 2015.
Autoritete kontraktuese konsiderohen institucionet lokale e qendrore, por edhe organe tjera e asociacione nën ndikimin dominant publik.
15 janari ishte përcaktuar nga Komisioni i Prokurimit si dita e fundit kur autoritetet kontraktuese duhej të dorëzonin raportet e tyre për kontratat.
Por në KRPP gjatë ditës së sotme ende nuk kishin njohuri se sa nga autoritete kontraktuese kanë dorëzuar raportet, e sa jo, pasi ende ishin të zënë me grumbullimin e tyre.
“Në pranimin e këtyre raporteve janë të angazhuar disa zyrtarë të Departamentit të Monitorimit dhe të IT-së dhe ende nuk kanë mund që t’i mbledhin të gjitha së bashku, pasi që duhet të pritet deri në fund të orarit, e që zyrtarët që kanë pranuar ato raporte duhet t’i nxjerrin, t’i dorëzojnë dhe të llogariten së bashku që të dihet se sa autoriytete kontraktuese i kanë dorëzu,” thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) obligohet me Ligjin për Prokurime që t’i mbledhë këto raporte.