Foto ilustrim

“Një ditë dashurie”: Si e përmbysi Trumpi historinë e dhunshme të 6 janarit

Presidenti i zgjedhur amerikan dhe aleatët e tij kanë shpenzuar katër vjet duke risajuar sulmin në Kapitol – duke përhapur teori konspiracioni dhe sajuar një histori martirizimi për hesapet e tyre aktuale politike – shkruan gazeta “New York Times”, në një analizë të gjatë katër vjet pas mësymjes së mbështetësve të Donald Trumpit ndaj Kongresit, pasi republikani i kishte humbur Zgjedhjet e vitit 2020 dhe po kundërshtonte certifikimin e presidentit demokrat, Joe Biden.

Dhe brenda dy javësh, Trumpi pritet të kalojë edhe njëherë nëpërmjet portës harkore të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, që edhe njëherë të betohet si i zoti i Shtëpisë së Bardhë. Përderisa rituali i Ditës së inaugurimit për bartjen paqësore të pushtetit po përgatitet paqësisht, ai do të shkojë në të njëjtin vend ku u shfaqën skenat e tmerrshme të 6 janarit 2021, kryesisht në emër të tij.

Menjëherë prapa shpinës së Trumpit do të jenë dyert prej metali e xhami, ku protestuesit, të nxitur prej rrenës së tij se i ishin vjedhur Zgjedhjet e vitit 2020, sulmuan Kapitolin me shufra metalike, gjësende të ndryshme dhe armë të tjera. Në të majtë të tij është pjesa e ndërtesës ku protestuesit e zhurmshëm ua morën anën policëve të paktë në numër. Në të djathtë të tij është pjesa ku ishte gjetur një grua e përgjakur që po vdiste.

Dhe para tij janë shkallët e mermerta që lëshohen drejt foltores me vulën presidenciale. Në të njëjtat shkallë, katër vjet më parë, flamujt e Trumpit ishin valëvitur mbi turma të egërsuara njerëzish: ku një zyrtar policie ishte tërhequr zvarrë që të rrihej me një flamur amerikan dhe një tjetër polic do të tërhiqej e shkelmohej.

“Rikthimi i pashpjegueshëm”

Pas mësymjes së madhe ndaj Kapitolit, karriera e trazuar politike e Trumpit dukej se mori fund, derisa fjalët nxitëse të tij për prijësit e trazirave tronditën edhe liderët e vetë Partisë së tij Republikane, kujton gazeta “The Times”. Një mal faktorësh shpjegojnë kryengritjen e tij tronditëse, por asnjëri prej tyre nuk ta mbushë mendjen sesi ai dhe besnikët e tij ia dolën ta shpëlajnë historinë e 6 janarit – duke e kthyer ankthin politik në aset politik.

Ajo që filloi si një përpjekje e sforcuar për të shfajësuar zotin Trump nga përgjegjësia për 6 janarin, filloi gradualisht pasi aleatët e tij në Kongres dhe media e hodhën poshtë sulmin dhe ia ridrejtuan fajin turmave të krahut të majtë, demokratëve dhe madje edhe Qeverisë. Rebelët e dhunshëm – të ndjekur penalisht, të dënuar dhe të burgosur – u kthyen disi në martirë patriotë.

Ky interpretim i përmbysur sfidoi atë që vendi kishte parë me sytë e vet, por i përshtatej mjeshtërisht narrativës së persekutimit që e lidh Trumpin me shumë prej besnikëve të tij. Pasi kandidoi sërish për President, dyfishoi rikthimin e skenarit për trazirat dhe goditjen e saj, duke përfshirë një hetim të Kongresit dhe dy padi penale kundër tij, si pjesë e një viktimizimi të orkestruar. 

“Hataja amerikane”

Ajo ditë ishte një hata amerikane, vlerëson “The Times”. Kongresistët po luftonin për sigurinë e tyre. Zëvendëspresidenti, Mike Pence i shpëtoi një turme njerëzish që bërtiste se ai duhej të varej. Shumë njerëz vdiqën gjatë dhe pas trazirave: përfshirë një protestues prej të shtënave të armëve, katër policë nga vetëvrasja dhe më shumë se 14 zyrtarë policie u lënduan në një përleshje të stërzgjatur, që pothuajse e pezulloi çfarë do të duhej të ishte certifikim rutinor i fitores elektorale të kundërshtarit të Trumpit, Joseph R. Biden Jr.

Por me kthimin e tij në pushtet, zoti Trump tani ka një platformë për ta shpëlarë dhe sajuar sulmin në Kapitol – në atë që e ka quajtur “një ditë dashurie”. Ai është zotuar se do të falë sulmuesit në orën e parë të marrjes së pushtetit, përderisa mbështetësit e tij në Kongres po kërkojnë ngritjen e akuzave penale kundër atyre që hetuan veprimet e tij në atë ditë kaotike.

Kur është pyetur për riformulimin e sulmit në Kapitol dhe nëse zoti Trump duhet të pranojë ndonjë përgjegjësi për çfarë kishte ngjarë më 6 janar, zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, në vend të përgjigjes, ka thënë t’i referoheni një deklarate të “humbësve politikë”, të cilët u munduan ta nxjerrin nga binarët karrierën e tij politike dhe pretendoi se “mediat tradicionale ende refuzojnë ta raportojnë të vërtetën për çfarë ndodhi atë ditë”. Ajo ka shtuar se “populli amerikan nuk ra në grackën e frikës që e Majta e ngjallte për 6 janarin”.

Tregimi për 6 janarin që e rrëfen zoti Trump është soji i vetë teorisë së zëvendësimit, aso që terron faktet e qarta sikurse tepihu i kaltër që mbulon ato shkallë të njollosura të Kapitolit në Ditën e Inaugurimit – shkruan e përditshmja “The Times”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com