Nisin punimet në zgjerimin e segmentit Nadakovc-Smrekonicë
Punimet në zgjerimin e rrugës nacionale përgjatë gjithë qytetit të Vushtrrisë, segmenti Nadakovc-Smrekonicë kanë filluar të premten.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në llogarinë ‘Facebook’.
Siç bëhet e ditur, zëvendësministri Rexhep Kadriu tha se kjo rrugë, bashkë me gjithë infrastrukturën përcjellëse, do të ndërtohet me standarde evropiane.
Ai shtoi se ky aks rrugor ka rëndësi të madhe jo vetëm për qytetarët e Vushtrrisë, por tërë Kosovën.
Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri duke e falënderuar ministrinë dhe qeverinë për përkushtimin e treguar, u kërkoi qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim deri në përfundimin e kësaj rruge.
Gjithashtu, sipas tyre segmenti i dytë i rrugës Nacionale N2, Nadakovc – Smrekonicë ka gjatësi 2.5 kilometra dhe ka vlerë investive afër dy milionë euro dhe është pjesë e investimit të zgjerimit të rrugës Nacionale N2, Prishtinë – Mitrovicë .